Kreu i Unionit të Gjyqtarëve: Mjaft më me ne, le të flitet me emra!

“Po kthehet disi banal përgjithësimi negativ i të gjithë sistemit të drejtësisë, ndërkohë, që ne jemi të hapur të tregohen emra që të merren masa administrative dhe penale”.

Kështu shprehet gjyqtari Gerdi Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve për Javanews.

Shqetësuese për të është stigma ndaj gjyqtarëve, por më shumë se kaq përgjithësimi, në mendimin e tij.

Ju kërkon të gjithë faktorëve të rëndësishëm të jetës politike dhe sociale në Shqipëri që të ndalin etiketimet përgjithësuese me natyrë negative kundrejt punonjësve të sistemit të drejtësisë, veçanërisht kundër gjyqtarëve.

Në këtë kontekst ne iu kemi kërkuar të gjithë atyre subjekteve përfshirë edhe miqve tanë ndërkombëtare, që disponojnë informacione të vlefshme, që të ndihmojnë në pastrimin e sistemit nga rradhët e të paaftëve dhe atyre që kanë probleme me ligjin që së pari: të flasin me emra konkretë dhe së dyti, t’i depozitojnë këto informacione në strukturat përgjegjëse shqiptare, që kanë kompetencë për t’i verifikuar dhe për të marrë vendime”.

Ndërkohë ka bërë dhe një apel për të huajt, që mos të fshihen pas përgjithësimeve por t’i depozitojnë tek autoritetet shqiptare faktet për gjyqtarët e korruptuar.

Edhe pse e di që ky proces është shumë i vështirë, ai mendon se ka ardhur koha që kjo mënyrë thjesht e dëmton sistemin e drejtësisë shqiptare, që edhe pa të është plot me probleme.

Ndërsa nënvizon se Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë është përpjekur brenda tagrit të vet që të japë kontributin në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë në vend. Kjo është një strukturë e krijuar më shkurt 2008.

Ajo ka bërë disa aksione ligjore ku mund të përmenden disa padi (shumica të fituara në Gjykatën Kushtetuese) për shfuqizimin e disa ligjeve që cenonin pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të drejtat kushtetuese të gjyqtarëve; disa opinione për ndryshimin e kuadrit ligjor mbi bazën e të cilit funksionon sistemi gjyqësor; opinione mbi ndryshimet e Kodeve të procedurave penale dhe civile, Kodit Civil e atij Penal, etj…  e deri në përpilimin e një opinioni prej 20 faqesh në lidhje me draftin e ndryshimeve kushtetuese të pregatitura nga GENL, të ngritur nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi”, thotë gjyqtari.

SHKARKO APP