Krifca takon importuesit e drithërave: Tregjet janë hapur në gjithë botë, situata është ribalancuar
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka takuar sot importuesit e drithërave në vend. Takimi ishte pjesë e diskutimeve me Bordin e Monitorimit të Çmimeve për të dakorduar mbi çmimin e miellit deri më datën 10 prill.
Sipas importuesve, kontratat e çliruara me Serbinë dhe anijet që kanë ardhur nga vendet e tjera kanë rritur stoqet.
“Lajmi i mirë është që kemi tregje të hapura në të gjithë botën, pra tregjet janë rihapur dhe kjo na jep një hapësirë tjetër për blerje, nëse nevojiten. Lajmi tjetër i mirë është që sjellja konsumatore është ribalancuar dhe kështu kemi mundësi për një zinxhir tregtar shumë më normal se ai paniku i parë që solli një destabilitet në treg”, tha zonja Krifca.
Rumania, Hungaria dhe Bullgaria i kanë rihapur tregjet. Si anëtare e Bordit, ministrja ka takuar gjithashtu edhe importuesit e inputeve bujqësore në vend, ku është dakorduar mbi marzhet për çmimet e uresë, fosfatit dhe nitratit.