Krijohet Aleanca e Grave Këshilltare në Bashkinë Tiranë

Këshilltaret gra e vajza të Këshillit Bashkiak Tiranë, prej më shumë se 4 muajsh, kanë nisur punën për krijimin e Aleancës së Grave Këshilltare Tiranë. Pas një serie konsultimesh dhe firmosjes së Marrëveshjes së Krijimit të Aleancës mes përfaqësueseve të këshilltareve të të gjitha grupimeve politike brenda Këshillit Bashkiak Tiranë, ditën e sotme ato bënë publike krijimin e Aleancës së Këshilltareve.

 Aleanca e Grave Këshilltare të Bashkisë Tiranë është një grup informal i grave/vajzave këshilltare të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ato vinë së bashku nën këtë grupim pavarësisht përkatësive të ndryshme politike për të përfaqësuar e avokuar për zgjidhjen e problematikave të grave të Tiranës. Aleanca synon  të krijojë një klimë mbështetëse për çështjet e grave e vajzave nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e Tiranës dhe gjithashtu të fuqizojë anëtaret e veta dhe këshilltaret e qyteteve të tjera.

 Këshilli Bashkiak i Tiranës në fund të zgjedhjeve të vitit 2015 hyri në histori në Shqipëri, si i pari këshill që për herë të parë kishte mbi 50% gra dhe vajza. Duke qenë se përfaqësimi i grave dhe vajzave është rritur ndjeshëm në Këshillin Bashkiak të Tiranës duke përbërë 51 % të tij, kjo duhet të reflektojë edhe përmirësim të cilësisë dhe aspekteve të tjera të jetës së grave dhe vajzave të Tiranës. Aleanca e Këshilltareve do të synojë që përmes veprimeve të përbashkëta të ndikojë në përmirësimin dhe hartimin e politikave lokale favorizuese për gratë e vajzat që rrjedhimisht do të çonte në përmirësimin e jetës dhe fuqizimin e tyre.

 Gjatë aktivitetit, kryetarja e Aleancës znj. Klotilda Bushka njëkohësisht këshilltare e PS-së dhe zv.kryetarja znj. Merita Poni, këshilltare e PD-së, si dhe anëtaret e bordit drejtues të AGKT, znj. Mirela Bogdani këshilltare e FRD, znj.Elisa Spiropali këshilltare e PS, znj. Erisa Xhixho dhe Eriona Bixha këshilltare të LSI dhe znj. Vjollca Braho këshilltare e PDIU, e vunë theksin tek qëllimi i punës së kësaj Aleance për fuqizimin e grave këshilltare, avokimin për tu dhënë zë problematikave të grave e vajzave të Tiranës, si dhe nxitjen e krijimit të politikave e programeve lokale për mbështetjen e grave e vajzave.

 Përveçse nga anëtaret e bordit të Aleancës, ky aktivitet u përshëndet edhe nga Znj. Ulrika Modéer,  Sekretare e Shtetit Suedez, Bashkëpunimi për Zhvillim Ndërkombëtar;  Z. Robert Wilton, Zv. Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri; Znj. Mesila Doda, Kryetare e Aleancës së Grave Deputete; Z. David Saunders, Përfaqësues i UN Women për Shqipërinë dhe Znj. Clare D. Masson, USAID / Shqipëri.

 Aktiviteti u ndoq nga përfaqësues të shoqërisë civile, të partive politike, medias, universiteteve, organizatave ndërkombëtare dhe trupit diplomatik, si edhe gra e vajza kryebashkiake e këshilltare nga qytete të tjera.

 Puna përgatitore për ngritjen e AGKT është lehtësuar dhe mbështetur nga Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë dhe CRCA Shqipëri, në kuadër të programit “Tirana: Qyteti Im – Zëri Im”, të mbështetur nga Olof Palme International Center dhe Qeveria Suedeze.

SHKARKO APP