Krim i rëndë në Maliq, gjenden të vrarë dy vëllezërit Olldashi
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Maliq. Dy vëllezër janë gjendur të vrarë me armë zjarri, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, në fshatin Zvirinë të Maliqit. Bëhet fjalë për Andrea dhe Martin Olldashin, dy persona që rezultojnë me precedentë penalë. Andrea Olldashi ka qenë disa herë me burg për vjedhje, kryesisht banesash. Sipas denoncimit të familjarëve, prej 2 ditësh vëllezërit nuk ktheheshin në banesën e tyre.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën. Janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.
Këto dy emra nuk janë të panjohur për policinë pasi në vitin 2012 janë akuzuar se i kanë vendosur tritol një lokalit të Gjergji Lekës, ish-futbollist. Vetë futbollisti Leka ka deklaruar se ngjarja e rëndë kishte lidhje me një konflikt të hershëm mes tij dhe dy vëllezërve Olldashi.
Konflikti ka nisur pasi pronarit të lokalit që ndodhet në Pogradec dy të rinjtë i kanë kërkuar një shumë të konsiderueshme parash, 4 mijë euro, duke i ushtruar presion. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, policia e Pogradecit arrestoi vëllezërit Olldashi të dyshuar si autorët kryesorë të ngjarjes, por i liroi ata pas tre ditësh për mungesë provash.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Më datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020.
Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje. Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.