Krimet e luftës në Kosovë, autorët s’mund të dënohen më shumë se 20 vite

Kosova nuk mund t’i dënojë më shumë se 20 vite burgim personat që kanë kryer krime lufte në vitin 1999. Kjo pasi për të akuzuarit aplikohet Kodi Penal i ish-Jugosllavisë, i cili ka qenë në fuqi në kohën kur janë kryer këto vepra penale.

Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë kësaj jave ka dënuar me dënimin maksimal prej 20 vitesh, Goran Stanishiq pasi u gjet fajtor për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por ky dënim ngjalli shumë reagim, madje familjarët e personave të zhdukur në Kosovë thonë se me këto dënime po ofendohen dhe kërkojnë që kriminelët serbë që kanë kryer krime gjatë luftës të dënohen me burgim të përjetshëm, sipas Kosovapress.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se deri në vitin 2000, Kodi Penal i ish-Jugosllavisë kishte paraparë dënimin me burgim të përjetshëm dhe me vdekje, por pas luftës ky rregull u ndryshua nga ndërkombëtarët, prandaj të akuzuarit për krime lufte në Kosovë nuk mund të dënohem më shumë se me 20 vite burgim.

“Në vitin 1999 përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në atë kohë kur ka pasur kompetenca legjislative kishte miratuar një rregullore përmes të cilës ishte shfuqizuar dënimin me burgim të përjetshëm dhe dënimi me vdekje që kanë qenë në fuqi në kohën kur janë kryer veprat penale në vitin 1999 dhe me shfuqizimin e këtyre dënimeve atëherë dënimi maksimal që mund të jepet në këtë rast për vepra penale të krimeve të luftës është 20 vite.

Gjyktat nuk mund të shqiptojnë dënim më të lartë sesa ajo që përcakton ligji i aplikueshëm dhe ligji i aplikueshëm flas për veprat penale të vitit 99’ është që për veprën për të cilën është akuzuar nuk mund të jepet dënim më i madh se 20 vite….Në kohën kur janë kryer veprat penalet të krimeve të luftës në Kosovë ligj i aplikueshëm ka qenë Kodi Penal i ish-Jugosllavisë.

Është parim në drejtësi që ligji më i favorshëm zbatohet ndaj të pandehurit, respektivisht momentin kur UNMIK kur ka shfuqizuar dënimin dhe vdekje dhe burgim të përjetshëm për çdo vepër penale që është kryer para vitit 2000 vlen vetëm vitet paraprake të asaj kohe që kanë qenë në fuqi. Çdo ligj tjetër që është më i ashpër dhe i cili shkon në disfavor të të pandehurit sigurisht që gjykatat por edhe avokatit dhe të pandehurit kanë të drejtën dhe privilegjin të shfrytëzojnë dhe të zbatohet ligji që është më i favorshëm për ta në kohën kur është kryer vepra penale”, theksoi Miftaraj.

SHKARKO APP