Krimet zgjedhore! Policia po heton në Tiranë, Fier, Kukës dhe në Durrës
Për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të dielë, Policia e Shtetit bën me dije se ka nisur disa hetime. Duke mos dhënë shumë detaje lidhur me arrestimin e Alfred Belerit, drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi tha se po ndiqen denoncimet në disa qarqe.
“Strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor”, tha Jaupi.
Po ashtu Jaupi u shpreh se duke filluar prej orës 18:00 të së premtes, deri në përfundim të procesit zgjedhor, të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, kalojnë në gatishmërinë “Shërbim i Përforcuar”.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, janë trajnuar 7530 punonjës policie ndërsa për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve, do të angazhohen 5511 punonjës policie. 57 objekte të rëndësishme do të merren në ruajtje nga Forcat Komando. Në këto zgjedhje është miratuar edhe një regjistër i posaçëm për krimet zgjedhore.