Krimi i organizuar dhe migracioni i paligjshëm, Shqipëria dhe Sllovenia forcojnë marrëdhëniet në fushën policore

Shqipëria dhe Sllovenia janë angazhuar për të forcuar marrëdhëniet në fushën policore dhe për forcimin e masave kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku priti në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Sllovene, Senad Jusiç. Rrumbullaku vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy policive, mbështetur në tre marrëveshje bazë, të nënshkruara nga Qeveritë e Shqipërisë dhe Sllovenisë. Ky bashkëpunim ka qenë efektiv, veçanërisht në kuadër të INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.

”Sfidat e reja të sigurisë, angazhimi i përbashkët kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm, krahas numrit të shtuar të turistëve sllovenë, të cilët vizitojnë Shqipërinë, na shtyjnë drejt rivlerësimit të marrëveshjeve ekzistuese mes dy vendeve. Ka ardhur momenti për të konsoliduar ndërveprimin në fushën policore, duke u bërë ballë edhe fenomeneve të reja në fushën e sigurisë”, tha Rrumbullaku.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Sllovenisë falënderoi Policinë e Shtetit Shqiptar për bashkëpunimin dhe mundësinë e takimit dypalësh, ndërsa u shpreh se fusha të ndryshme, si krimi kompjuterik dhe kibernetik, duhet të trajtohen me profesionalizëm, krahas goditjes ndaj krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.

Për shkak të numrit të lartë të pushuesve, Policia Sllovene do të sjellë në Shqipëri një atashe, i cili do të ndihmojë edhe komunikimin me autoritetet shqiptare. Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare përmendi se, gjatë vitit të shkuar nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale, ku të jetë cënuar siguria e turistëve. Vetëm nga Sllovenia, numri i shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2023 ka qenë rreth 22 mijë.

SHKARKO APP