Krimi i rëndë në familjen shqiptare, mediat italiane: Autori e kishte planifikuar me detaje
Një krim i rëndë ndodhi në një familje shqiptare të enjten e kaluar në Itali, ku bashkëshorti, Shkëlqim Bedeli, i mori jetën gruas së tij, Shegushe Paeshti dhe më pas vari edhe veten.
Mediat italiane shkruajnë sot se ky ishte një krim që autori, kishte shumë kohë që e kishte planifikuar.
Shqiptari, një farkëtar i zoti siç e përshkruajnë fqinjët për mediat italiane, pak kohë më parë kishte lënë edhe punën.
Mediat italiane shkruajnë se në dy letrat që ai la para se të ndërmerrte aktin tragjik, njëra drejtuar autoriteteve policore dhe tjetra për fëmijët e tij, Shkelqim Bedeli fliste për një gjendje të keqe shpirtërore që e kishte shoqëruar prej muajsh, e cila mesa duket është bërë shkak për fundin dramatik.
Në letrat që shkroi para vetëvrasjes, Shkëlqim Bedeli gjithashtu flet edhe për disa grindje mes tij dhe bashkëshortes, por edhe një xhelozi që sa vinte e shtohej ndaj saj.
“Nuk përjashtohet që ai të vuante nga depresioni”, shkruajnë mediat italiane.
Për fqinjët, Bedeli dhe Paeshti ishin një çift i qetë, që nuk dukeshin të kishin probleme.
“Por në një mëngjes gushti, ndodhi një vrasje brutale, e paramenduar deri në detajet më të vogla, dhe kush e di për sa kohë”, shkruajnë mediat italiane.