Krimi i tmerrshëm ndaj çiftit shqiptar / Mediat italiane: Djali në kërkim ndërkombëtar, dëshmitar kyç për ngjarjen
Mediat italiane vazhdojnë që të shkruajnë për ngjarjen tronditëse në Itali, ku një çift nga Vlora janë gjetur të vrarë e masakruar në një fshat të Firences.
Hetuesit mendojnë se personi që mund të zbardhë këtë krim të rëndë është djali i çiftit, Taulant Pasho, sot 33 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, shkruajnë mediat italiane.
Ai mund të hedhë më shumë dritë rreth ngjarjes tragjike të prindërve të tij që shkuan nga Shqipëria në Itali për ta takuar dhe u zhdukën në të njëjtën ditë kur djali i tyre fitoi lirinë nga burgu ku vuante një dënim 4-vjeçar për trafik të lëndëve narkotike.
Trupat e tyre u gjetën të masakruar dhe copëtuar në katër valixhe në një fushë midis burgut Sollicciano dhe autostradës Firence-Pisa-Livorno.
“Ata donin ta përqafonin si për herë të fundit, Taulantin, djalin e tyre të vetëm, i cili kishte pasur një jetë të trazuar, me arrestime, dënime për drogë. Dhe atë 2 nëntor të vitit 2015, ditën e zhdukjes së tyre, ata shkuan për ta takuar atë para burgut Sollicciano, ku 28-vjeçari asokohe sapo kishte mbaruar një dënim 4-vjeçar.
Tani në kërkim të Taulantit, i cili është 33 vjeç, është policia nga e gjithë bota. Sepse ai është ndoshta personi i fundit ose një nga të fundit që ka takuar prindërit e tij Shpëtimin dhe Teuta Pasho, 62 dhe 60 vjeç, kur ishin gjallë”, shkruajnë mediat e vendit fqinj.
Akoma mbetet mister se çfarë ka ndodhur natën e 2 nëntorit të vitit 2015, kur djali i çiftit të vrarë u lirua nga burgu. “A i kishte takuar ai prindërit për herë të fundit? Dhe Taulanti, i cili do të përfundonte në pranga edhe vitin e ardhshëm pas krimit, a u tregoi motrave të tij për t’i shpjeguar se çfarë kishte ndodhur me mamanë dhe babanë?”
Hetuesit hedhin dyshime se grupe mafioze, në shenjë hakmarrëse, mund të kenë ekzekutuar çiftin, për shkak të problemeve të djalit të tyre në Itali, që kishte pasur një jetë të trazuar me arrestime, dënime e burgosje të shumta. Po ashtu, mendohet se Shpëtim Pasho mund të ketë pasur me vete 40 mijë euro, pasi ka marrë dëmshpërblim për një aksident e se edhe në këtë pistë po hetohet.