Krimi në Shqipëri/ Në 20 ditë 3 të ekzekutuar nga mafia, 2 gra të masakruara

Nga: Redjon Shtylla

Në vetëm 20 ditë të 2020, janë ekzekutuar 5 persona. Rendi në vend është në pikëpyetje. Vrasja e të riut Vilson Tafçiu Ndoka në Astir mbrëmjen e së hënës, ekzekutimi në qendër të Rrëshenit, vrasja në Tropojë, vrasja e kunatës nga vëllai i burrit, tregon se jeta në Shqipëri nuk është e sigurtë. Ngjarja makabër në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku tre të rinjë grabitën, përdhunuan dhe mbytën 51-vjeçaren Drita Saliaji, shokoi dhe tronditi mbarë opinionin publik. Aksidentet rrugore i kanë marrë jetën 8 personave në 20 ditë. Me kaq shumë viktima brenda një muaji që ende nuk është mbyllur, është një kambanë alarmi për nivelin e kriminalitetit në një vit që sapo nisi.

Ekzekutim mafioz me 3 plumba

Vilson Tafçiu Ndoka, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në rrugën “Teodor Keko”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet. 28-vjeçari që përdorte dy mbiemra ishte me origjinë nga Dibra. Dy pistat ku po heton Policia janë e shkuara kriminale e të riut dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për shkaqe xhelozie. Burimet bëjnë me dije se i riu kishte jetuar më herët në Belgjikë dhe në Francë, nga ku ishte deportuar një vit më parë. Në muajin mars të 2018 ai ishte dënuar me 1 vit burg në Francë, por kishte qëndruar vetëm 8 muaj në paraburgim, e më pas ishte deportuar drejt Shqipërisë. Ndoka kishte ardhur në Tiranë për të varrosur gjyshen e tij, e cila kishte ndërruar jetë para pak ditësh. Mësohet se 28-vjeçari ishte ulur në një lokal në këtë zonë në momentin që u thirr nga jashtë nga disa persona. Sapo Vilsoni kaloi pragun e lokalit u qëllua me tre plumba në gjoks nga personat që e thirrën, duke mbetur i vdekur në vend. Menjëherë pas krimit, autorët, ende të paidentifikuar u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet të llojit “Golf 6”, me ngjyrë të zezë. Ende nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen e rëndë por dëshmitarët kanë deklaruar se i riu u qëllua me armë zjarri nga një person i pamaskuar, i gjatë dhe me mjekër. Dy pistat ku po heton Policia janë e shkuara kriminale e të riut dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për shkaqe xhelozie.

Masakron kunatën me dru, e përndiqte

Një tjetër grua u vra, këtë herë nga kunati xheloz. Eredet Çapoku qëlloi për vdekje me sende të forta Enkeleda Çapokun, duke i marrë jetën. Autori dhe viktima para dy vitesh jetonin në një shtëpi, bashkë me vajzën e 39-vjeçares por më vonë mes tyre lindën konflikte dhe ata vendosën të mos jetonin më bashkë. 34-vjeçari banonte kohët e fundit në një banesë pranë viktimës. Kunati kohët e fundit e përndiqte Enkeledën, duke e parë kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën. Ai vazhdimisht i bënte fotografi dhe ia dërgonte vëllait të tij në burg, duke rritur kështu konfliktin mes familjes. Erdet Çapoku u kap disa orë pas krimit makabër. Në dëshminë e dhënë në Policinë e Kamzës, pas arrestimit si autor i vrasjes, referuar burimeve jo-zytare në Prokurori, ai pretendon se ka humbur vetëdijen pasi ka kryer vrasjen makabër. Vrasësi ka deklaruar se “ishte larguar nga banesa pas ngjarjes me mendimin për t’u vetëdorëzuar”, por më pas kishte humbur vetëdijen.

Grabitet, vritet dhe mbytet 51-vjeçarja

Një ngjarje makabre ka ndodhur më 5 janar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, ku 51-vjeçarja, Drita Saliaj u grabit, përdhunua dhe u mbyt në rezervuarin e fshatit.  ”Arrest me burg” është masa e sigurisë për tre autorët e vrasjes. Dy minorenët e kanë pranuar krimin, ndërsa 26-vjeçari Ervis Zotaj e ka mohuar duke thënë se nuk ka qenë i pranishëm. Drita Saliaj u sulmua në shtëpinë e saj nga tre persona që kishin shkuar për të vjedhur. Luis Saliaj 16 vjeç, Sindi Shehaj po 16 vjeç dhe Ervis Zotaj 26 vjeç, pasi hasën në rezistencën e zonjës së shtëpisë e goditën atë dhe më pas trupin e hodhën në rezervuarin e fshatit. Dërgimi i njërit prej autorëve në paraburgimin e Burgut të Fierit, ka shkaktuar tensione të forta. Të burgosurit kanë refuzuar që 26-vjeçari Ervis Zotaj, të qëndrojë në sektorin e tyre. Sipas tyre, i riu ka kryer një krim monstruoz dhe nuk mund të qëndrojë aty. Personat që ndodhen në paraburgim kanë ushtruar dhe dhunë verbale ndaj autorit të krimit të rëndë, atij të vrasjes makabre të 50-vjeçares Drita Saliaj, e cila u përdhunua, u mbyt dhe u hodh në rezervuar.

Pas 18 vitesh, vrasje në Tropojë

Guxim Gjyriqi 47-vjeç, u vra pranë pikës së karburantit të tij në lagjen “Partizani” Gjyriqit iu zu pritë dhe pasi e thirrën në emër, atentatorët e qëlluan me breshëri automatiku nga një mjet pa targa duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një makinë e djegur u gjet në fshatin Golaj të Hasit, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së 47-vjeçarit. Guximtar Gjyriqi, baba i tre fëmijëve, është kushëri i largët me Fatmir Haklajn, ish-shefin e komisariatit të policisë së Tropojës, që dha dorëheqjen nga posti më 9 janar 1998. Ende nuk dihet nëse vrasja e Guximtar Gjyriqit lidhet me ndonjë konflikt të çastit apo hakmarrje, por burime konfidenciale pohojnë se familja Gjyriqi nuk ka pasur lidhje me atë se çfarë ndodhi me Haklajt dhe janë të vetmit që nuk kanë lëvizur nga Tropoja, duke jetuar të qetë ndër vite. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së Guxim Gjyriqit, që e konsideron të paqartë, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, Kukës dhe dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Me plumb në zemër, vritet Kastriot Reçi

Në qendër të Rrëshënit u ekzekutua me plumb në zemër, biznesmeni Kastriot Reçi. Qyteti u trondit nga vrasja e bujshme, duke rikthyer frikën e eliminimeve për hakmarrje gjatë viteve të fundit në këtë qytet. Vrasja mund të lidhet me disa ekzekutimeve që kanë ndodhur ndër vite. Një dëshmitar i ngjarjes tregoi që nuk pati zhurma të shtënash, e po ashtu edhe në vendin ku Kastriot Reçi u qëllua, ishin pak njolla gjaku, çka konfirmon se mund të jetë përdorur Snajper për të kryer vrasjen. Kastriot Reçi deri në vitin 2018, sipas Autoritetit të Mediave Audiovizive, ka qenë aksioner në televizioni lokal “Media +”, por që në atë kohë i është hequr licenca me vendim bordi. Lidhur me atentatin, burime të policisë bëjnë me dije, se ka qenë i planifikuar dhe i organizuar duke iu referuar dinamikës së ngjarjes dhe armës me të cilën viktima u qëllua. Pista e parë mbi të cilën grupi hetimor po punon, është ajo e hakmarrjes, pasi përpara dy viteve, në Romë të Italisë, u vra vëllai i Kastriot Reçit, Gasper Reçi. Dyshimet për vrasjen e këtij te fundit, lidhen më vrasjen e ish zyrtarit të OSHEE, në Rrëshen, Sajmir Jaku.Pas vrasjes së Gasper Reçit, në Belgjike u vra edhe Kreshnik Gjini, nipi i Sajmir Jakut. Në atë kohë, dyshimet e policisë belge ishin se Gjini ishte vrarë nga dy atentatorë shqiptarë, të cilët sipas tyre u hakmorën për vrasjen e Gasper Reçit. E për të arritur kështu tek vrasja e katërt, këtë te martë, ajo e Kastriot Reçit. Ndërkaq në gusht të vitit të kaluar, në Rreshën u vra edhe Armand Gjini i njohur ndryshe si Tonin Gjini. Më herët ky i fundit i kishte shpëtuar një atentati me tritol. Në Rreshën, në orët e pasdites ishte edhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili zhvilloi një takim për disa minuta në komisariatin e policisë Mirditë, lidhur me ngjarjen e ndodhur. Po ashtu, policia për këdo që do të mund të jap informacione të vlefshme për autorët e kësaj ngjarjeje, ka vënë 2 milionë lek shpërblim.

Eksploziv në banesën e shefit të policisë

Dy shpërthime tritoli kanë ndodhur në Shkodër. Shpërthimi i parë ka ndodhur në lagjen Guerrile, ku pre e sulmit ishte shtëpia e oficerit të Policisë, Prelë Milani, me detyrë shef i stacionit policor në Theth të Dukagjinit. Ndërsa shpërthimi i dytë ka ndodhur në fshatin Grudë e Re të Shkodrës në shtëpinë e Kolë Bungajës. Për fat nga dy këto shpërthime ka pasur vetëm dëme materiale. Sipas dëshmisë së Milanit në polici, ai ka thënë se nuk ka patur konflikte, por dyshon se ky sulm i ka ardhur si pasojë e detyrës si shef stacioni policor dhe dyshimet e para janë për shkak të operacioneve të kryera në zonën e Dukagjinit në luftë kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Të vrarët nga aksidentet

Viktima e parë për 2020 u shënua në Kamëz nga një aksident në datë 2 janar. Një 32-vjeçar përplasi për vdekje me makinë një grua që po lëvizte me biçikletë. Po në të njëjtën ditë, dy këmbësorë humbën jetën nga një aksident rrugorë në zonën e Porcelanit në Tiranë. Erion Balla 36-vjeç dhe një grua e moshës 72-vjeçe, Hidajete Salliu, humbën jetën. Nga ekspertiza paraprake rezulton se shoferi Etjon Lazari, i cili drejtonte makinën ngjyrë gri ka qenë duke ecur me një shpejtësi mbi 80 km/h dhe makina ka qenë në marshin e katërt, ndërsa shpejtësia e lejuar në këtë aks është me 30km/h. Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy shoferët, Etjon Lazari dhe Edmond Murati. Gjyqtari Sokol Pasho ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë arrest me burg për dy shoferët.

Më 5 janar, autobusi i linjës Tiranë-Athinë përplasi për vdekje këmbësorin në aksin Tepelenë-Gjirokastër. Drejtuesi i mjetit nuk e ka parë këmbësorin i cili ndodhej në cep të rrugës.

Në Berat, një 65-vjeçar u aksidentua për vdekje nga një automjet në fshatin Otllak. Policia thotë se Gramoz Zani, në gjendje të dehur i ka prerë rrugën automjetit, tip “Benz E-Class”. Pas përplasjes ai u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte. Pak pas kësaj ngjarje, një “BMW” u përplas me një shtyllë të ndriçimit rrugor në aksin nacional Uznovë-Poliçan por drejtuesi i mjetit hoqi targat dhe njoftoi një karotrec që e lëvizi mjetin pa mbërritur policia.

Aksidentet rrugore vijojnë të përgjakin rrugët në vend. Një i vdekur e tre të plagosur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhura në vend, vetëm më datë 9 janar. Aksidenti më i rëndë ndodhi në Lushnje ku humbi jetën një 52-vjeçar që udhëtonte me motor. Shpëtim Bajaziti nga fshati Ardenicë e Lushnjës humbi jetën mesditën e së enjtes teksa udhëtonte me motoçikletë. Policia e Lushnjes bën me dije se kur viktima ka marrë kthesën, kamaleci i motorrit ka prekur asfaltin, çka ka sjellë rrëzimin nga mjeti.

Më datë 16 janar, një aksident i rëndë u regjistrua në aksiden Lezhë-Shkodër, pikërisht në fshatin Piraj. Viktima quhet Ndue Marku dhe është 70 vjeç, ndërsa policia njofton se drejtuesi i makinës quhet Nik Marketa. Më datë 18 janar, një aksident i rëndë u regjistrua në Shkodër. Një automjet përplasi një 32 vjeçare e cila ishte duke drejtuar motoçikletën. Si pasojë e kësaj përplasjeje, e reja humbi jetën.

Aksident në punë

34 persona kanë humbur jetën vetëm në 11 muaj të vitit 2019, si pasojë e aksidenteve në punë. Sektorët që janë shënuar më shumë jetë të humbura janë ndërtimi dhe ndërmarrjet prodhuese siç është fasoneria. Edhe ky vit ka filluar me aksidente. Rasti i fundit ishte ai i Korçës ku si pasojë e një aksidenti në punë humbi jetën Elvis Josifi, 36 vjeçar dhe u plagos shoku i tij punëtor, që u pasua me dy minatorë të plagosur në Bulqizë.

SHKARKO APP