Krimi shqiptar shqetësim për Holandën, hetime të përbashkëta
Krimi shqiptar është shqetësim i madh për Holandën. Dy vendet, Shqipëria dhe Holanda do të bashkëpunojnë kundër krimit të organizuar, kontrabandimit të qenieve njerëzore dhe lufta kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu priti në një takim Drejtuesin e Xhandarmërisë Mbretërore të Holandës, Gjeneralin Laurent Hendrix.
Policia e Shtetit thotë se dy zyrtarët e policisë u dakordësuan që bashkëpunimi në të ardhmen do të konkretizohet me hetime të përbashkëta, shkëmbim informacioni në kohë reale, sepse vetëm kështu mund të arrihet suksesi.
Veliu garantoi gjeneralin Hendrix se autoritetet shqiptare kanë forcuar masat, si në pikat e kalimit kufitar, gjatë intervistimit të shtetasve për arsyet e lëvizjes në hapësirën SCHENGEN, ashtu edhe masat në kufirin e gjelbër.