Kritika për PS-në e Fierit, Gjiknuri: Nuk flemë gjumë. Nisim punën për zgjedhjet vendore
Pas marrjes së detyrës të re si Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri ka nisur një tur takimesh në të gjitha qarqet e vendit. Ndalesa e parë ishte në Fier, ku Gjiknuri tha se po zhvillon takime organizative dhe për lënien e detyrave për strukturat e partisë. Për të PS-ja nuk fle gjumë, por do të nisë që tani përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
”Unë si Sekretar i Përgjithshëm, kam filluar një tur takimesh në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Së pari, për të prezantuar të deleguarit e rinj, por edhe për të filluar punën e reformimit organizativ të PS, me qëllim që partia të fillojë përgatitjet që tani për zgjedhjet e ardhshme. Ne nuk jemi një parti që mund të flemë gjumë e të presim zgjedhjet, por përkundrazi ne do të fillojmë të kryejmë detyrat tona, të organizohemi sa më mirë.
Këtu në Qarkun e Fierit rezultati mund të kishte qenë më i mirë, ndaj ka një analizë për të bërë e për të nxjerrë konkluzione. PS do të korrigjojë ato gabime që ka bërë, me qëllim që zgjedhjet vendore të kenë një rezultat shumë të favorshëm për partinë tonë.
Ky është një takim organizativ, prezantues dhe lënia e detyrave për strukturat e partisë për të filluar disa nga masat që janë në funksion të riorganizimit. Në të gjithë Shqipërinë do të ketë riorganizim të strukturave, që mund të përfshijë edhe Fierin e bashkitë e tjera, në funksion të rezultateve elektorale.
Fieri nuk pati rezultatet që ne prisnim në zgjedhjet e fundit, ndaj dhe këtu ka një analizë për të bërë, pasi Fieri ka qenë i majtë, i rëndësishëm për PS. Fieri për ne ka rëndësi të jashtëzakonshme dhe fitorja e zgjedhjeve lokale do të jetë një tregues për zgjedhjet e radhës parlamentare”.