Kriza e pandemisë/Bregu: Leksion i madh për BE, asnjë vend nuk e përballon i vetëm

BE-ja është përballë një sfide të madhe nga pandemia e Covid-19. Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të bashkëpunimit rajonal, flet mbi situatën e krijuar nga pandemia e Covid-19 dhe ndihmën e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti për Shqipërinë.

”Situata me pandeminë ishte më ndryshe se ajo nga tërmeti, pasi përfshirja ishte shumë herë më e madhe. Kjo krizë do të jetë një leksion i madh edhe për BE-në. Për herë të parë nga viti 2002, i është dhënë akses vendeve të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e këtij fondi të solidaritetit, i cili është 800 milionë euro. Asnjëherë nuk është e mjaftueshme. Ekonomitë tona do të goditen më rëndë. Humbjet do të jetë të mëdha, sidomos nga turizmi”.

Nga ana tjetër, ajo foli edhe për lëvizjen e mallrave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së. Bregu theksoi se në ditët e para vështirësia ishte e madhe, ndërsa sot situata ka ndryshuar tërësisht, duke u rikthyer normaliteti.

”Ne nuk jemi të shkëputur. Kufijtë tanë ndahen me vende anëtare të BE-së. Situata para një muaji ishte kaotike dhe për ne ishte shumë e vështirë për të gjetur rrugë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave. Ka pasur probleme. Ka pasur radhë 60 kilometra për 250 kilometra rrugë. Në Merdarë ka pasur problem jo vetëm me shoferët kosovarë, por edhe me ata nga vendet anëtare. Kemi pasur problem me kufizimin e orarit. U deshën dy javë përpjekje intensive dhe sot situata është normalizuar. Ne marrim informacion nga çdo vend për të parë se si lëviz ecuria. Sot flasim për një qarkullim normal. Veçanërisht, pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë funksionojnë normalisht me rajonin”.

SHKARKO APP