Kriza ekonomike në vend, Basha takim me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjete sociale kreu i PD-së, ku shkruan se “në qendër të diskutimit ishte kriza ekonomike dhe në veçanti domosdoshmëria për të përmirësuar klimën e biznesit, dhe tërheqjen e investimeve të huaja të cilat lidhen direkt me punësimin”.

“Sot pata kënaqësinë të pres përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham, z. Enio Jaco President i Bordit, Z. Alex MacFarlane Atasheu i Seksionit për Çështjet Politike & Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së, Z. Reshard Këlliçi Sekretar i Bordit dhe znj. Eni Xheko Anëtare e Bordit. Në qendër të diskutimit ishte kriza ekonomike dhe në veçanti domosdoshmëria për të përmirësuar klimën e biznesit, dhe tërheqjen e investimeve të huaja të cilat lidhen direkt me punësimin.

Lufta kundër monopoleve dhe trajtimit të pandershëm të investitorëve në Shqipëri, lufta kundër korrupsionit dhe klientelizmit, sundimi i ligjit dhe siguria juridike, janë disa nga sfidat jetike para të cilave ndodhet vendi dhe ekonomia.

Në takim diskutuam edhe mbi pasojat e Covid-19 në ekonominë shqiptare. Aksesi në likuiditet, lehtësimi i barrës fiskale për bizneset dhe mbështetja ndaj tyre për të ruajtur vendet e punës, janë ndër kërkesat e kahershme të AmCham dhe çështje prioritare të platformës tonë. Partia Demokratike mbështet propozimet e bëra publike të Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham drejtuar qeverisë shqiptare, duke i konsideruar ato të drejta dhe të duhura për t’i dhënë përgjigje sfidës së përballimit të pandemisë ekonomike dhe rivitalizimin e ekonomisë në të ardhmen”.

SHKARKO APP