Kriza energjetike, ish-ministrja Denaj: Këto dy vite do të jenë të vështira
Për ish-ministren e Financave, deputete e PS-së, këto dy vitet do të jenë të vështira sa i takon situatës energjetike në vend. Anila Denaj nënvizon domosdoshmërinë e burimeve të reja të energjisë.
“Jemi në nëntor dhe nuk është situatë normale e motit. Buxheti i shtetit ka mbështetur me 270 milionë dollarë rritjen e energjisë, duke mos rritur çmimin dhe koston e ka mbajtur buxheti i shtetit. Për vitin që vjen është parashikuar 120 mln dollarë.
Nëse situata do të jetë e tillë, do rishikojmë shifrat dhe vendimet. Është e pazakontë kjo situatë klimatike që po ndodh. Diversifikimi i energjisë nga burime të tjera është domosdoshmëri. Kemi filluar prej 2-3 vjetësh me kontrata konkrete. Të paktën t’ia dalim pas dy tre vjetësh, por këto dy vite do të jenë të vështira”.
Sa u përket kritikave të ndërkombëtarëve në lidhe me amnistinë fiskale, Denaj theksoi se ato janë ende në proces diskutimi, ndërsa informalitetin e cilësoi një plagë që duhet adresohet njëherë e mirë.