Kriza greke dëmton emigrantët shqiptarë

 

Parashikohet nje vrull kthimi emigrantesh shqiptar nga Greqia . Kriza i ka bere qe te paguhen, ato qe gjejne pune, sa nje te pesten e asaj qe mernin para krizes. Agjensia e lajmeve “Reuters” i kushton një shkrim impaktit të krizës greke në vendet fqinje të saj, duke u ndalur në mënyrë specifike te Shqipëria. Artikulli “Kriza e borxheve në Greqi po dëmton fqinjët e saj edhe më të varfër”, nis me katër punëtorë shqiptarë që kthehen në Kapshticë pas katër javësh pune në Greqi.

Ata thonë se nuk mund ta përballojnë situatën në vendin fqinjë. Duke folur për “Reuters”, Mustafa Kullolli nga Elbasani tregon se për punën e kryer nuk ishin paguar për shkak të mbylljes së bankave.

“Kriza e borxheve ka shkaktuar vështirësi të mëdha te grekët, por pasojat e saj po shpërndahen edhe te fqinjët ish-komunistë të Greqisë, të cilët janë më pak të përgatitur për ta përballuar”- shkruan “Reuters”.

Sipas artikullit përveç Shqipërisë pritet që kriza greke të ketë impakt negativ edhe në vende si Kosova, Serbia, Maqedonia dhe Bullgaria. Kjo çështje ka gjasa të jetë edhe në agjendën e vizitës në rajon të kancelares Angela Merkel, thuhet në shkrim.

Te artikulli nënvizohet fakti se tashmë Greqia nuk është një burim të ardhurash për emigrantët shqiptarë, të cilët gjithnjë e më shumë rendin drejt Gjermanisë në kërkim të azilit. Vetëm në muajin maj kanë qenë plot 4900 kërkesa për azil të mbërritura nga shqiptarët.

Kullolli dhe tre shokët e tij mblidhnin qershi në zonën e Edesës në Greqinë veriore. Pasi kaluan kufirin në Kapshticë po prisnin për të gjetur autobusë ose ndonjë mundësi tjetër udhëtimi të lirë që të shkonin në shtëpi. Rreth 200 euro që i takonin nga puna në Greqi nuk i kanë marrë për shkak të mbylljes së bankave.

“Grekët nuk kanë para, janë për vete në krizë. Kurrë nuk na kanë mbajtur lekët e punës që kemi bërë në bujqësi, por tani nuk mund të bëjnë asnjë gjë për atë që po ndodh me bankat”- thotë Kullolli për “Reuters”.

Më tej në shkrim përmendet numri i madh i emigrantëve shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Greqi dhe ulja e remitancave, që përbënin 11.5% të GDP-së së Shqipërisë. Ulja e remitancave ndikoi ndjeshëm në rritjen ekonomike të vendit. Në vitin 2013 rritja ishte vetëm 1.1%, më e ulëta në 16 vitet e fundit, analizon Reuters.

Por në kufi, disa sipërmarrës shqiptarë kishin zbuluar një mundësi të artë për të përfituar nga kriza greke. Sipas doganierëve drejt vendit tonë kanë hyrë jo pak traktorë të dorës së dytë, të blerë lirë nga fermerët grek, të cilët kanë nevojë për para për shkak të krizës.

Gazetari i “Reuters” takon edhe disa punëtorë të tjerë shqiptarë që mblidhnin qershi në Greqi, por për fat të mirë janë paguar për punën e kryer. Sidoqoftë ata kanë pohuar që nuk shohin më të ardhme në Greqi. “Vendi ka arritur në zero”, pohon njëri prej tyre.

Fredi Hyska është një tjetër shqiptar i kthyer nga Greqia. 32-vjecari me profesion piktor dhe bojaxhi ka jetuar prej vitesh në Selanik, ku fitonte nga 1500 deri në 2000 euro në muaj me punën e tij, por së fundmi mezi arrinte të siguronte 500 euro në muaj.

Megjithatë shumë prej të kthyerve në Shqipëri thonë se do të vazhdojnë të shkojnë sërish në Greqi, pasi pavarësisht krizës, ata do të jenë aty më mirë se në vendlindje, nënvizon “Reuters”.

 

SHKARKO APP