Kriza institucionale – Shteti po drejtohet nga të pamandatuarit
Kriza politike në Shqipëri ka krijuar edhe “viroza” të krizës institucionale. Nga konflikti institucional mes Presidentit dhe Qeverisë, apo dhe “harresës” së mazhorancës, një pjesë të mirë të drejtuesve apo anëtarëve të institucioneve kushtetuese iu ka mbaruar mandati, disa prej muajsh, të tjerëve prej vitesh. Në mbledhjen e fundit me dyer mbyllura të konferencës së kryetarëve është konstatuar se janë të paktën 20 drejtues dhe anëtarë që iu ka mbaruar mandati. I pari për këtë çështje ka folur nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi. “Ajo që do të doja të shtoja në fillim të fjalës sime, ishte që unë kam një listë këtu me 105 individë të zgjedhur nga Kuvendi nga institucionet kushtetuese. Sot që flasim 20 individëve u ka mbaruar mandati prej kohësh, pra 20 % e këtyre institucioneve kushtetuese janë bosh, 2 prej të cilëve i ka Presidenti i Republikës, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, (nuk besoj që të kemi luksin si shtet në këtë lloj përbaltjeje me njëri-tjetrin, hajdutllëku këtu, korrupsioni atje, kush i kontrollon, ta lënë vend vakëf, nuk e di pse, ndoshta nuk ju pëlqeu Vitorja ose ai tjetri)”, ka deklaruar Murrizi . Kryeparlamentari Ruçi ka kërkuar që të merren masat për zgjedhjen e anëtarëve apo dhe drejtuesve të rinj.
Vetëm në dy institucione kushtetuese drejtuesit zgjidhen sipas një procesi që përfshin Presidentin dhe Kuvendin. I pari është kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku Bujar Leskajt i ka mbaruar mandati prej afro dy vitesh. Zgjedhja e kreut të KLSH-së është rasti më tipik i konfliktit ndërmjet Metës dhe mazhorancës. Presidenti ka paraqitur tre kandidatura, Vitore Tushajn, Bahri Shaqirin dhe Petraq Milon, por të gjitha propozimet janë rrëzuar nga mazhoranca. Pas këtyre rrëzimeve Presidenca ka stopuar dërgimin e emrave, pasi socialistët në bllok i kanë rrëzuar 3 dekretet dhe kjo duket se e ka stepur për propozimin e një emri të ri. Gazeta “Si” ka mësuar se edhe Eduart Ypit prej 6 muajsh i ka mbaruar mandati në krye të Autoritetit të Konkurrencës. Ai zgjidhet nga Parlamenti, pas propozimit të dy kandidaturave nga ana e Presidentit. Edhe pse ka pasur dy shpallje nga Presidenca për këtë vend vakant, sipas burimeve mësohet se nuk ka pasur interes për të aplikuar. Janë edhe disa anëtarë të tjerë nga institucione të pavarura që iu ka mbaruar mandati dhe zgjidhen nga ana e Kuvendit në mënyrë direkte. Në mbarim të mandatit është edhe Shkëlqim Ganaj, si kryetari i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive. Ai është zgjedhur në 2014 dhe ka një mandat 7-vjeçar. Për zgjedhjen e tij fillimisht u përfshinte në proces Presidenti, por tani me ligjin e ndryshuar kjo i përket Parlamentit. Anëtarëve të tjerë që iu ka mbaruar mandati i përkasin Autoritetit të Medies Audiovizive (AMA), që nga kryetari i saj, Gentjan Sala dhe anëtarëve si Gledis Gjepali, Piro Misha dhe Zylyftar Bregu. Në fakt Parlamenti shkarkoi Bregun disa javë më parë, por ende nuk e ka gjetur zëvendësuesin. AMA është një nga institucionet që do të ketë një rol të posaçëm me miratimin e paketës “Antishpifje”. Pikërisht do të jetë ky institucion që do të vendosë për gjobat ndaj medieve online, në rast se konstatohet shkelja. Edhe disa prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiot Televizionit iu ka mbaruar mandati. Të gjithë këta zgjidhen nga Parlamenti dhe Qeveria. Anëtarët e KD-së së RTSH, por edhe AMA-s zgjidhen edhe me anë të propozimeve të grupeve parlamentare të opozitës dhe të mazhorancës. Në përfundim është edhe mandati i kreut rë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi. Ai zgjedhur si deputet i PS-së dorëzoi mandatin në prill të vitit 2017, për t’u zgjedhur në këtë institucion. Mazhoranca e majtë shkarkoi Enkelejda Shehin nga ky post me anë të një votimi në Parlament dhe zgjodhi Koçin, i cili ka vazhduar mandatin plotësues prej 2,5 vitesh. Mandati i ka mbaruar edhe zëvendëses Mimoza Kaci. Një vend bosh gjendet prej kohësh edhe në Autoritetit e Hapjes së Dosjes, pas dhënies së dorëheqjes nga ana e Daut Gumenit. Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta “Si” mandati i ka mbaruar edhe komisionerit të Shërbimit Civile, Pranvera Strakoshës.
Burimi: Gazeta “Si”