Kriza me çmimet, Rama rikthen idenë për ent shtetëror për karburantet
Shqipëria mund të ketë një ent publik edhe për karburantet. Kryeministri Edi Rama ka rikthyer idenë e hedhur fillimisht vitin e kaluar për të krijuar një kompani shtetërore, e cila do të tregtojë naftën, benzinën dhe gazin Kjo pas rritjes së ndjeshme, të çmimeve, shoqëruar nga akuza për abuzim nga kompanitë e hidrokarbureve.
“Fenomeni i luhatjeve të çmimeve në bursë dhe mosreflektimi i tyre drejt konsumatorit nuk është i ri; ai ka vazhduar për vite me radhë, duke nxitur paqartësi dhe humbje për qytetarët. Përpjekjet e mëparshme, përfshirë Bordet e Transparencës, nuk kanë mundur të ndalojnë këto praktikë, që lidhen kryesisht me përqendrimin e tregut në pak kompani”, thotë Arbër Xhihani, ekspert për ekonominë.
Ky fenomen nuk u arrit dot të zhbëhej as me ngritjen e të ashtuquajturit Bord i Transparencës për karburantet. Kjo problematikë që po përsëritet edhe këtë vit, për ekspertët, i ka rrënjët te përqendrimi i lartë i tregut të karburanteve në pak duar.
”Pa një konkurrencë të balancuar dhe mekanizma efektivë mbikëqyrjeje, çmimet e karburanteve do vijojnë të luhaten pa kontroll, duke i vënë presion të drejtpërdrejtë qytetarëve dhe bizneseve. Vetëm përqendrimi i tregut në pak kompani dhe mungesa e transparencës mund të shpjegojnë pse Shqipëria renditet kaq lart në listat e çmimeve rajonale dhe globale”, thotë Xhihani. Shqipëria është vendi i parë në rajon, i shtatë në Europë dhe i dhjetë në botë për çmimin më të lartë të naftës.
KOHA JONË SONDAZH

