Kriza politike “stimuloi” hashashin, zyrtarët: Të dyfishohen patrullimet
Shefi i komisariatit të Vaut të Dejës, i cili mbulon zona të thella malore ku synohet kultivimi i kanabisit, thotë se angazhimi i Policisë së Shtetit për protestat e opozitës dhe fushatën e 30 qershorit, u shfrytëzua nga trafikantët. Qarku i Shkodrës ka njohur përgjatë viteve të fundit reduktim të sipërfaqeve të mbjella por jo zhdukje të fenomenit.
”Me protestat që kishim, viti zgjedhor dhe me ngarkesën që kishim disa prej kultivuesve mori guximin dhe mbollën më tepër”, thotë Paulin Çupi, shef i komisariatit të policisë Vau Dejës.
Kryebashkiaku Mark Babani, duke e parë fenomenin më thellë, thotë se për të sfiduar mbjelljet e kanabisit, bashkia brenda 3 muajsh do të finalizojë projektet e para për zhvillimin e agroturizmit në këto zona. Kjo si një mundësi për të rritur punësimin e të rinjve dhe familjeve në tërësi.
Këtë vit pritet që në qarkun Shkodër të dyfishohen patrullimet nga ajri, pasi zonat e thella malore vijojnë të mbeten shqetësim për policinë, ku strategjia e kultivimit ka ndryshuar, bimë e parcela më të vogla, për të mos rënë në sitën e kontrolleve.