KLSH audit Agjencisë për Pasuritë e Sekuestruara: Pronat e konfiskuara, rrezikohen t’i kthehen sërish krimit
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar abuzime në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Sipas një auditi të bërë në agjencinë e drejtuar nga Adrian Koni, KLSH ka nxjerr në pah disa problematika në këtë institucion që administron pasuritë e bllokuara, të krijuara nga veprimtari kriminale.
Sipas KLSH-së, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara nga krimi i organizuar, apo korrupsioni menaxhonte në fund të dhjetorit të vitit të kaluar prona me vlerë gati 140 milionë euro.
Sipas KLSH-së, mungesa e zbatimit të kritereve ligjore, mungesa e krijimit të një baze të dhënash në lidhje me një informacion të përgjithshëm për të gjitha pronat e sekuestruara e të konfiskuara, mungesa e regjistrimit dhe monitorimit të të gjithë objekteve të sekuestruara dhe të konfiskuara të dhëna me qira, janë tregues i qartë që objektivat e krijimit të sistemit nuk janë arritur e për rrjedhojë niveli i riskut në lidhje me mbarëvajtjen e punës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është i lartë.
Më konkretisht, raporti thekson se në pesë procedura prokurimi për shitjen e pronave të konfiskuara nga gjykatat është gjetur diferencë e madhe mes fondit limit të përllogaritur dhe vlerës së kontratës fituese. Sipas KLSH, kartelat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në fund të dhjetorit të vitit të kaluar nuk përmbajnë ekstraktet bankare dhe kartelat e inventarit të pasurive sipas administratorëve të tyre, nuk gjenden procesverbalet dhe mungon organizimi e dokumentimi i veprimeve kontabël të aktivitetit të administratorëve që janë ngarkuar për këto prona. Për të gjitha këto shkelje, KLSH rekomandon në raport që kryeadministratori i agjencisë të shkarkohet nga Shërbimi Civil.