Kryebashkiakët e PD-së nën hetim pas deklaratave publike për 30 qershorin

Kryebashkiakët e Lezhës dhe Mallakastrës janë proceduar në gjendje të lirë në lidhje me deklaratat në RTV ORA për procesin zgjedhor të 30 qershorit. Frrokaj deklaroi se do të mbrojë pronat e bashkisë, ndërsa Kapllanaj tha se do të jetë i pari që do të shkojë në burg, duke paralajmëruar kështu rezistencë ndaj procesit. Por këto deklarata për prokurorinë kanë elementë të krimeve kundër proceseve zgjedhore.

Frrokaj: “Do mbroj pronat e mia deri në pikën e fundit. Nëse nuk i mbroj unë kam shkel ligjin.”

Kapllanaj: “Në datën 30 unë dua të futem në burg. Nuk do të lejoj zgjedhje në Mallakastër sepse do të zbatoj ligjin. Do të zbatoj dekretin e Presidentit. Le të vijnë t’më fusin në burg. E kam për nder të bëj burg për të ruajtur demokracinë. Për të mos lejuar të kthehet diktatura në këtë vend. Dhe unë vij nga një familje që na kanë futur në burg madje na kanë pushkatuar për diktaturën.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Këto deklarata në emisionin “360 Gradë” në RTV Ora do ti përballin me drejtësinë kryebashkiakët demokratë të Lezhës dhe Mallakastrës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Policia njoftoi se Fran Frrokaj dhe Agron Kapllanaj janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Pengim i subjekteve zgjedhore” dhe “Thirrje për veprime të dhunshme”.

Procedimet janë ndërmarrë nga policitë dhe prokuroritë e Lezhës dhe Fierit pas qëndrimeve të kryebashkiakëve demokratë të studion e RTV Ora.

Aurel Bylykbashi: “Ne nuk do të lejojmë zgjedhje më 30 qershor. Ka vëllavrasje. Ka luftë civile, le të ketë. Patjetër që të ketë. Ne nuk kthehemi mbrapsht sepse ne nuk bëjmë gabimin që bëjnë gjyshërit tanë në 1944 e të ngelemi peng për 40 vite të tjera”.

Ndërsa kjo deklaratë e ka vënë përballë tri akuzave ish-deputetin demokrat në Elbasan Aurel Bylykbashi.

Ai akuzohet nga policia për tri vepra penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”.

Ndërkohë tre persona janë arrestuar për krime kundër procesit zgjedhor në Tiranë dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të 6 bashkë edhe me persona të tjerë ata akuzohen për sulmin ndaj KZAZ-së së Kamzës në përpjekje për të ndaluar përgatitjet për procesin zgjedhor, sipas qëndrimit të opozitës për të zbatuar dekretin e Presidentit Ilir Meta.

Ndërsa në Mirditë për krime zgjedhore janë proceduar dy drejtues të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Por nga ana tjetër ndërsa bashkitë e drejtuara nga opozita përmes kërkesave zyrtare dhe thirrjeve publike kërkojë anulimin e procesit zgjedhor, KQZ dhe KZAZ-të vijojnë përgatitjet.

Në disa bashki të vendit nga veriu në jug u shpërndanë pa incidente materiale zgjedhore.

Bashkitë e opozitës ndërkohë kanë paralajmëruar se hapi i radhës do të jenë protestat për të kundërshtuar procesin zgjedhor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?