Kryebashkiakët që munguan në takimin e Ramës
Në takimin me kryeministrin Edi Rama, jo të gjithë kryebashkiakët ishin të pranishëm. Emrat që munguan janë: Erion Veliaj, Dritan Leli, Voltana Ademi. Veliaj nuk ishte prezent pasi takoi Wesley Clark, gjeneralin që ishte në krye të NATO-s dhe që ndihmoi në operacionin për çlirimin e Kosovës.
Dritan Leli njihet si kryebashkiaku që është në konflikt me Ramën, ndaj nuk ishte prezent në mbledhje. Kurse Voltana Ademi është e vetmja kryetare bashkie e djathtë. Gjatë takimit me kryetarët e tjerë të bashkive në vend, Rama u bëri thirrje që të mos ndikojnë me pushtetin e tyre në favorizimin e njërës apo tjetrës palë në prokurimet publike, pasi, sipas tij, do të përballen me SPAK-un.
“Ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos ndikoni me pushtetin tuaj në favorizimin e njërit apo tjetrit në prokurimet publike. Mos luani me një zjarr që do të bëhet përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do të ketë mbështetjen time të plotë. Nga 61 bashki, 47 prej tyre, procedurat e prokurimeve publike i bën me vetëm një operator ekonomik. Në çdo rast që do të ketë dyshime për tendera korruptivë, kryebashkiakët do të përballen me SPAK-un për të dhënë shpjegime. Mund të jetë kushdo prej jush, por jo unë dhe Partia Socialiste. Të gjitha procedurat me negocim, pa shpallje, do t’i nënshtrohen hetimit administrativ”.