Kryebashkiakja e Urës Vajgurore: Ndihma me pako ushqimore për 360 familje në nevojë, ilaçe në banesa për të moshuarit

Kryetarja e bashkisë Urë Vajgurore, Juliana Memaj tha se sot po vijon shpërndarja e ndihmave ushqimore për 100 familje.

“Ditën e djeshme kemi shpërndarë pako ushqimore për 100 familje. Ndërsa më datë 18.03.2020, 50 pako. Edhe sot kemi nisur punën për shpërndarjen e ndihmave në 100 familje të tjera. Kemi ngritur shtabin prej 20 personash, të cilët po ndihmojnë në shpërndarje, në të gjitha njësitë administrative. Ne kemi përfunduar listën me emrat e pensionistëve të vetmuar dhe familjeve të varfra. Në tërësi janë 360 familje, 300 pensionistë të vetmuar, dhe 60 janë familje të varfra. Do të vijojmë shpërndarjen në çdo familje, -tha ajo.

Më tej, Memaj sqaroi se ka nisur të zbatohet urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, për dërgimin e ilaçeve pranë banesave të të moshuarve, në mënyrë që të mos lëvizin prej shtëpive të tyre.

“Deri tani u kemi ardhur në ndihmë 6 familjeve pensionistësh, me barnat të cilat ja kemi dërguar pranë banesave të tyre. Grupet e terrenit janë të pajisur me maska dhe doreza si dhe ruajnë distancën sociale kur dërgojnë ilaçet tek të moshuarit. Jemi në gatishmëri të të gjithë qytetarëve në nevojë, në këto ditë të vështira, veçanërisht për të moshuarit dhe pensionistët, të cilët në mënyrë kategorike nuk duhet të lëvizin prej banesave. Ne si bashki, jemi vënë në dispozicion të plotë të tyre”, -tha Memaj.

Ajo u bëri apel qytetarëve të respektojnë vendimet e qeverisë, në mënyrë që të gjithë të jenë të sigurt.

“Ne nuk kemi pasur problematika, qytetarët janë të ndërgjegjësuar lidhur me situatën. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkisë Urë Vajgurore, të respektojnë çdo udhëzim të qeverisë për masat e marra, sepse është në interesin tonë të përbashkët, në mënyrë që të jemi të gjithë të shëndetshëm dhe të mos cënojmë jetën e askujt. Jemi pranë jush në çdo moment. Jemi duke punuar që nga nesër të vëmë në dispozicion edhe numrin jeshil, 08007161 për adresimin e problematikave të shfaqura ,në territorin e bashkisë Ura Vajgurore , për t’i ardhur në ndihmë çdokujt. Sot më shumë se kurrë jemi bashkë në këto ditë të vështira”, -përfundon Memaj./Atsh

SHKARKO APP