Kryebashkiaku Dredha: Vlora me dy porta hyrëse, investimet rritën vlerën e pronës dhe punësimin
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha thotë se ky vit turistik ka qenë shumë i suksesshëm për qytetin që ai drejton. Në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Dredha tha se “për t’u bërë më atraktivë për ata që zgjedhin Vlorën si destinacion turistik e jo vetëm duhet të plotësojmë edhe disa komponentë të tjerë siç janë politikat lokale, të jemi gjithëpërfshirës në zhvillim”.
Duke folur për infrastrukturën, Dredha theksoi se “në qytetin e Vlorës ka zënë një peshë të veçantë dhe këtu kam parasysh Lungomaren 1 dhe 2 dhe tashmë kemi filluar me lotin e tretë”. “Ka një vëmendje të shtuar sepse çfarëdo lloj investimi infrastrukturor e ngre shumë, nivelin e asaj ç’ka ne duhet të shohim si bashki. Pra duhet ta shohim si sfidë në vetvete”, theksoi Dredha.
Kryebashkiaku Dredha u shpreh se “Vlora është kthyer në një pol të rëndësishëm, natyrisht pas Tiranës. Vlora është shembulli i qartë se si duhet të zhvillojmë ekonominë dhe për ta përkthyer pastaj në një ekonomi të qëndrueshme gjithëpërfshirëse”.
Sipas tij, këto dy porta hyrëse përbëjnë ekonomi. “Ndaj duhet të orientohemi drejt gjithë kësaj hallke që i shtohet zinxhirit të investimeve dhe të krijojmë harmoni sa i përket përgatitjes së krahut të punës dhe profesionistëve që i takon qytetit të Vlorës që ta ketë në një njëjtin standard, që ka krijuar ky zinxhir investimesh në qytet”, tha Dredha.