Kryebashkiaku i Berishës në mbledhjen e Ramës, Dodaj: Takim i frytshëm! Duam përkrahje

Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj i dalë nga listat e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që mori pjesë në takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi në Shkodër, ka zbardhur detaje. “Ishte takim i frytshëm”, nënvizoi më tej kryebashkiaku i Pukës. Por çfarë u diskutua në takimin me Ramën?

“Tryeza me kryeministrin dhe ministrat dhe me kryebashkiakët kishte në fokus problematikat që dolën në takimin e Maznikut në Pukë dhe bashki të tjera. Sugjerime në të mirë të bashkive për ti shërbyer komunitetit. Mos diferencim i kategorive për pagat ishte një diskutim. Nivel i pagave të mos bëhet sipas kategorive të bashkive. Sepse të njëjtën punë bën një punonjës në bashkinë Pukë apo ai në Tiranë. U diskutua dhe për lejet e ndërtimeve. Të lehtësohet sepse futen në burg dhe për një hall. Të ketë lehtësime. Problemi i menaxhimit të pyjeve”, tha Dodaj.

Më tej ai renditi disa nga kërkesat që ai vetë ka pasur në këtë takim. “Ne kemi kërkuar që kategorizimi i bashkive te pagat të mos jetë siç është sot. Edhe Mazniku i ka marrë parasysh, dhe siç pashë dje janë vënë në lëvizje dhe ndoshta do jenë të realizueshme shumë shpejt. Disa kryebashkiakë e kanë pasur këtë kërkesë”, shtoi ai.

Situatën në bashkinë që ai drejton Dodaj e konsideroi jo fort të mirë, duke nënvizuar pjesën e borxheve që ka gjetur kur ka marrë detyrën. Jo pak por plot 700 mln lekë të vjetra borxhe, tha Dodaj.

“Kemi pasur probleme me administrimin e pushtetit. Kam gjetur një administratë të dorëhequr. Nuk i kam gjetur aty. Jemi në fazën ku kemi bërë projekte, kemi konkurruar në disa ministri. Shpresoj të merren parasysh ato projekte që janë të domosdoshme. Kërkesa për pushtetin qendror kemi bërë. Jemi në pritje. Deri tani po administrojmë ato që kemi tani, po performojmë me aq sa kemi”, tha ai.

Krahas kërkesave të tij ai tha se Rama u la disa porosi. “Unë e di çdo të thotë të administrosh një bashki. Ne duhet të jemi realista. Kërkesa është që ne të kemi impenjim që të menaxhojmë drejtë dhe saktë ato burime që kemi”. Për sa i përket diskutimeve me pjesëmarrjen e kryebashkiakëve të Berishës, një prej të cilëve është dhe vetë ai, Dodaj i quajti të parëndësishme. Ai e konsideroi veten njësoj si të gjithë kryebashkiakët që punojnë për të mirën e komunitetit.

SHKARKO APP