Kryebashkiaku i Lezhës: Pandemia i ka vënë operatorët turistikë në start, nuk ka më qoka

Padyshim një prej sektorëve më të prekur nga pandemia është turizmi. Tashmë për të zhvilluar sezonin turistik, operatorët duhet të aplikojnë përmes e-albania.

Për kryetarin e Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, kjo do t’i vendosë të gjithë këto struktura në një “garë” të drejtë pasi të gjithë duhet të aplikojnë nga fillimi.

Në një intervistë me gazetaren Matilda Mcini në Ora News, ai shprehet se do të reduktohen qokat e bëra për operatorë që nuk kanë lidhje me turizmin.

Ndreu: Ne e kemi të bazuar tek klientela shqiptare, kryesisht tek shqiptarët e Kosovës. Si pushtet lokal jemi në kontakt me operatorët turistikë për t’i nxitur ata për tu bërë gati për sezonin turistik. Po punojmë për kurimin e disa problemeve të zonës së plazhit. Janë dy struktura, njëra që quhet Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik dhe struktura e vlerësimit të lejeve. Këto do të bëhen përmes aplikimit tek e-albania. Përveç strukturave hoteliere, do të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme në plazh. 

Do jenë brezi i parë dhe i dytë. Do të konsumohen aplikimet e operatorëve hotelierë e më pas ata që nuk kanë mbi 20 tavolina. Do të shpallen zonat me numër. Nëse unë kam një hotel në Shëngjin do të hyjë me numër dhe do të aplikoj me disa kritere. Brenda 2 ditëve do të kthehet dhe përgjigja. Nëse merret një përgjigje pozitive, duhet të shkosh paguash tarifën e hapësirës publike në bashki dhe do të bësh një listë me materialet dhe dokumentacionin e nevojshëm. Numri i shezlongëve, hapësira mes tyre. Të gjitha hapësirat e tjera që nuk i nënshtrohen këtyre aplikimeve do të jenë hapësira të lira. 

Prioritet do të jenë strukturat hoteliere, pra do përfundojnë ata e më pas strukturat e tjera që kanë një pikë shërbimi. Pandemia duket se ka bërë një disiplinim të kësaj historie. Të gjitha lejet që janë dhënë vjet, zerohen. Në kushtet e pandemisë vendoset një rregull i ri. Duhet të aplikojnë në e-albania. Duhet të marrin një leje të re. Unë e shoh pozitivisht, pasi ka qenë gangrenë qokat që janë bërë për ata që nuk kanë asnjë lidhje me shërbimin.

Matilda Mcini: Qokat i bën pushteti.

Ndreu: Absolutisht. Lezha ka 38 kontrata 5 vjeçare ku shumë prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me turizmin. Duhet të vihen në një start të gjithë. Dhe duhet t’i japim prioritet strukturave hoteliere që kanë shpenzuar për këtë gjë. Taksat ne i kemi ulur. Tarifat vendore janë ulur me 30 përqind me një paketë që është bërë përpara pandemisë. Nëse unë dua të ulë një taks tjetër nën kufirin 30 përqind nuk e bëj dot. Gjatë kohës së pandemisë ne kemi ndërhyrë edhe në tarifat vendore të cilat i kemi zeruar përgjatë kohës që biznesi nuk ka punuar. Këtu futet dhe turizmi. Taksat që duhet t’i paguanim në prill i kemi shtyrë në qershor për t’i lënë frymëmarrje biznesit.

SHKARKO APP