Kryebashkiaku i Matit: Banda e PD pa vulë dhunoi zyrtarët. Policia: Shoqëruam babë e bir, 1 tjetër në kërkim

Kreu i bashkisë së Matit, Agron Malaj ka denoncuar përmes një video sesi njerëz të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Skënder Gjuci, dhunojnë barbarisht dy zyrtarë shtetëror gjatë koncertit të mbrëmshëm në sheshin “Ahmet Zogu”.

Teksa ka treguar edhe emrat e dhunuesve, Malaj që është kandidat për një tjetër mandat nën siglën e PS-së, shprehet se “Ky eksoponent i Partisë Demokratike pa vulë që shoqëron kandidatin Skënder Gjuci qysh kur ishte kryetar komune, por dhe sot mendon të shantazhojë popullin e Matit me veprime të tilla. Këto banda janë llum i neveritshëm, që mendojnë se me të tilla veprime do të shantazhojnë popullin e Matit”,-shkruan Malaj në një postim në Facebook.

Policia e Matit njofton se ka nisur procedim penal ndaj babë e bir dhe një person tjetër është shpallur në kërkim. Si pasojë e këtij konflikti, ka mbetur i dëmtuar dhe shtetasi E. S., 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, në qendër të qytetit të Burrelit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, disa shtetas të përfshirë në këtë konflikt. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë vënë menjëherë në dijeni prokurorin e gatshëm të Prokurorisë së Dibrës, për këtë konflikt, dhe në drejtimin e kësaj prokurorie, kanë kryer të gjitha veprimet e para procedurale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ka nisur procedimi penal për shtetasit S. R., 49 vjeç dhe E. R., 21 vjeç (babë e bir), si dhe për shtetasin A. M., 21 vjeç, i cili është shpallur në kërkim”, njofton ndër të tjera policia.

SHKARKO APP