Kryebashkiaku i Mirditës: Nuk bëhem deputet, do rri kryetar Bashkie!

 

 

Nuk do të jetë Ndrec Dedaj deputeti i ri i Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës. Konfirmimi ka ardhur nga vetë ai në një prononcim ekskluziv për JavaNews.al, i cili ka hedhur poshtë zërat që e shihnin atë në karriken e deputetit, pas dorëzimit të mandatit nga Arben Ndoka si dhe arrestimit të Armando Prengës. I kontaktuar me telefon, kryetari i Bashkisë së Mirditës, i dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit të këtij viti, u shpreh se askush nuk i ka kërkuar atij që të lërë postin e kryebashkiakut për të zgjedhur atë të deputetit. Madje ai thekson për JavaNews.al se populli i Rrëshenit, e ka votuar atë si Kryebashkiak dhe se ai është i vendosur për të vazhduar në këtë detyrë. “T’ju them të drejtën po ndjek shkrimet që po dalin në media. E vërteta është se nuk më ka kërkuar njeri për mandatin e deputetit. Populli i Rrëshenit më ka votuar për Kryebashkiak dhe jam i vendosur të vazhdoj në këtë detyrë.” tha kryebashkiaku Dedaj për JavaNews.al Dorëzimi i mandatit të deputetit nga Ndoka si dhe arrestimi i deputetit tjetër socialist të Lezhës, Armando Prenga, pritet të rifreskojnë përfaqësimin e PS në Kuvend. Gjithsesi, që Prenga të humbasë mandatin, do të duhet një vendim i formës së prerë nga gjykata. Megjithatë, në radhët e socialistëve është hapur diskutimi se kush do të jetë ai që do të zëvendësojë Ndokën në parlament. Në listë i radhës është pikërisht Ndrec Dedaj, por ai shprehet i vendosur për të vazhduar me mandatin e Kreut të Bashkisë, duke lënë në pikëpyetje selinë rozë. Ajo që dihet deri më tani është se Rama kërkon të shmangë kandidatin Eduard Ndocaj, i cili pak kohë më parë akuzoi publikisht Kryministrin si “bukëshkalë” duke i kujtuar shpenzimet për një drekë me të në Itali. 

SHKARKO APP