Kryebashkiaku Llatja dhe përfaqësuesja e Komisionit Europian vizitojnë sipërmarrjen sociale “Tradita ime artizanale”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Sigrid Brettel, përfqësuese e Komisionit Europian, vizituan sot sipërmarrjen sociale “Tradita ime artizanale”, një model i suksesshëm i ripërdorimit social të pronave të konfiskuara.

Kjo nismë inovative ka krijuar mundësi të reja punësimi për gratë dhe vajzat e Elbasanit, duke u kthyer në një shembull frymëzues se si asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar mund të transformohen në projekte që sjellin vlerë për komunitetin.

Gjatë vizitës, kryetari Llatja vlerësoi punën e bërë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjeve sociale që fuqizojnë gratë dhe ruajnë traditat shqiptare. “Kjo është një histori suksesi që tregon se si mund të krijojmë mundësi të reja nga vështirësitë dhe të mbështesim gratë në integrimin e tyre në tregun e punës,” u shpreh ai.

Nga ana e saj, znj. Brettel nënvizoi rëndësinë që ka ripërdorimi social i aseteve të konfiskuara në dobi të komunitetit, duke përgëzuar këtë nismë si një hap konkret në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përfshirjes sociale.

“Tradita Ime Artizanale” është tashmë një histori suksesi që jo vetëm krijon vende pune, por edhe mban gjallë trashëgiminë kulturore shqiptare, duke treguar se përmes bashkëpunimit mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

SHKARKO APP