Kryebashkiaku Llatja inspekton punimet për pastrimin e kanaleve në fshatrat Thanë dhe Murriqan

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, vizitoi sot fshatrat Thanë dhe Murriqan për të parë nga afër ecurinë e punimeve për pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse. Gjatë inspektimit, kryetari vlerësoi progresin e bërë në këtë projekt të rëndësishëm për zonën, që synon përmirësimin e vaditjes dhe kullimit të tokave bujqësore, si dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

“Është prioritet i yni që, sapo të përfundojmë me vaditjen, të nisë puna me kanalet kulluese. Periudhat e shirave duhet të na gjejnë gati, sepse dëmi është i madh nëse i lëmë pas dore këto kanale. Ky është një shembull i mirë ku Ndërmarrja e Punëve Publike Rurale është përqendruar në pastrimin e kanaleve kulluese. Një kanal vaditës pa një kanal kullues nuk e plotëson gjithë sistemin e vaditjes apo menaxhimin e tokës,” theksoi Llatja.

Ai shtoi se “kemi pasur një sezon të mirë bujqësor, ku kanalet vaditëse kanë qenë efikase, duke nisur nga Labinoti dhe duke përfunduar në zonat fushore të Paprit dhe Fushën e Elbasanit. Ndërmarrja e Punëve Publike ka vazhduar mirëmbajtjen e tyre dhe tani është momenti për t’i intensifikuar punimet pas sezonit të verës. Më gëzon fakti që sa herë kaloj, shoh që ndërmarrja është e gatshme dhe efikase në punët e kryera.”

Nga 250 hektarë tokë bujqësore, janë pastruar tashmë 20 km kanale vaditëse dhe ka përfunduar puna në Kanalin Kullues 33, duke siguruar një kullim më të mirë për 64 hektarë tokë. Gjithashtu, kanalet vaditëse të veshura me beton janë pastruar nga punonjësit sezonalë, duke garantuar që fermerët të kenë furnizim të pandërprerë me ujë gjatë sezonit të mbjelljeve dhe korrjeve.

Ky është një investim i nevojshëm që do t’i japë një nxitje të re zhvillimit të bujqësisë në këtë zonë, duke garantuar kontrollin e përmbytjeve dhe vaditje të qëndrueshme për fermerët. Pastrimi i kanaleve dhe përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes janë ndër prioritetet e Bashkisë për të siguruar që prodhimi bujqësor të vazhdojë të rritet dhe që toka bujqësore të shfrytëzohet në mënyrë sa më efikase.

SHKARKO APP