Kryebashkiaku Malaj dëgjesa me banorët e Matit

Sot kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj është takuar me banorët e njësisë administrative Macukull dhe në mbrëmje me ato të lagjes “Partizani”, Blloku 2, Burrel. Llogaridhënia dhe prezantimi i projekteve të reja ka vijuar prej katër vitesh nga ana e kryebashkiakut të Matit.

“Sistemimi i 114 pallateve për shkak të amortizmitit do të jetë prioritet i punës tonë, tha Malaj, pasi disa prej tyre janë ndërtuar rreth viteve ’60-të dhe kërkojnë ndërhyrje. Ujërat e zeza janë sistemuar, por një projekt i ri synon grumbullimin dhe filtrimin e tyre, në mënyrë që në lumin e Matit të mos derdhen ujëra të ndotur dhe mjedisi në qytet e rrethina të jetë i pastër”, shtoi kryetari i bashkisë.

Malaj sqaroi se projekti i ujësjellësit të qytetit është ndër më të mirët në vend dhe se teknologjia e re dhe investimi i kryer jo vetëm do të mundësojë ujë 24 orë, por defektet dhe ndërhyrjet në rrjet do të eleminohen në kohë reale. Sipas tij nuk ka vend për hamendësime.

Kryetari i bashkisë saktësoi se një projekt pilot tentohet të zbatohet në qytetin e Burrelit në lidhje me pastrimin e qytetit. Në lagjen “Pjetër Budi” do të mundësohet grumbullimi i mbetjeve nga bashkia, duke synuar ndarjen e tyre që në burim, duke eleminuar koshat në vende publike dhe ndotjen e qytetit.

Malaj u tha qytetarëve të pranishëm se bashkia është e interesuar që hyrjet e pallateve të jenë të pastra, me ndriçim dhe të sistemuara me kujdes. Po ashtu në lidhje me parkimin e mjeteve është menduar që çdo banor rezident të ketë një vendparkimi pa pagesë. Nëse qytetarët kanë më shumë se një mjet atëherë do të mendohet për parkimin e tyre.

Sipas kryebashkiakut të Matit do të marrë fund saga e përdoruesve të mjeteve motorike. Kolaudimi i mjeteve të tyre së shpejti do të mundësohet në qytetin e Burrelit, pasi puna për ndërtimin e kësaj qendre ka nisur. Pra, ata nuk do të udhëtojnë drejt Peshkopisë për këtë shërbim.

Në lidhje arsimin Malaj tha se dy shkolla në qytetin e Burrelit janë rehabilituar dhe një tjetër nis nga puna. Sakaq do të investohet së shpejti edhe në tre kopshte. Krahas tregut të fruta perimeve do të ndërtohet një treg frigoriferik, një treg i gjësë së gjallë dhe objekte të tjera të rëndësishme.

SHKARKO APP