Kryegjyshi Botëror Bektashian, Baba Mondi dekorohet me titullin “Nderi i Shoqatës Tomorri”

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Baba Mondi u dekorua me titullin “Nderi i Shoqatës Tomorri”. Në fjalën e tij, ai u shpreh i vlerësuar për këto nderime që iu bënë, ndërsa theksoi se Kryegjyshata Botërore Bektashiane qëndron në krah të vlerave.

Po ashtu, Baba Mondi tha se Shoqata Tomorri në të gjithë veprimtarinë promovon vlerat intelektuale, krahinore dhe figurave patriotike që janë në jetën tonë të përditshme

“Jam i privilegjuar dhe i nderuar që sot gjendem mes jush, për këtë titull nderi kaq domethënës dhe vlerësues për institucionin që unë drejtoj tashmë për më shumë se 13 vite, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, por edhe për mua personalisht.

Kam kënaqësinë të nënvizoj se Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” në të gjithë veprimtaritë kulturore, promovon vlerat intelektuale, krahinore dhe të figurave patriotike, që janë në jetën tonë të përditshme, por edhe atyre që janë ndarë nga jeta, por që kanë dhënë kontribut në këtë shoqatë, apo janë krenaria e krahinës.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka qenë përherë një dashamirëse e veprimtarive dhe punëve me vlerë të Shoqatës dhe angazhohet për t’ju qenë në krah përherë në promovimin e këtyre vlerave tepër me rëndësi në kohët e vështira në të cilat po jetojmë.

Figura të shquara të shoqatës Tomorri si Xhevahir Spahiu, Nuri Cuni, Veli Hoxha, Idriz Metani dhe intelektualë që me shumë dashuri që prej themelimit të kësaj shoqate i kanë dhënë kombit shqiptar, kanë vënë një gur të rëndë themeli në këtë shoqatë patriotike të krahinës së Tomorrit të cilën me shumë dashamirësi frymëzimin tuaj do ta ndërlidhja me shenjtërinë dhe hijeshinë e Malit mistik të Tomorrit aq shumë të dashur për trevat shqipfolëse dhe jo vetëm. Abaz Ali dhe Ai Mal ju qoftë ndihmë në punët e mira që po bëni.

Falënderime për titullin e nderit që më akorduat sot dhe bekime paçi familjarisht! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin”, tha në fjalën e tij Baba Mondi.

SHKARKO APP