Kryemadhi: Beteja për 25 prillin, është betejë për 25 vitet e ardhshme, do sundojë oligarkia apo do sundojë rinia?
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në takimin me votues për herë të parë që zhvilloi të mërkurën në Lushnje deklaroi se Programi “Mëso dhe fito”, “Taksa e së Ardhmes 1%” janë pjesë e pesë prioriteteve të LSI-së për rininë.
Kryetarja e LSI-së vlerësoi se sot LSI është në këmbë për shkak të këtyre votuesve për herë të parë.
“Në partitë politike ikin e vijnë shumë njerëz. Të vetmit njerëz që rrijnë stoik, krijojnë histori, janë votuesit për herë të parë, pasi janë një element i fuqishëm në jetën politike të të gjithë shoqërisë shqiptare. Është vota më me shpirt, entuziazëm, vota më e fortë. Vërtetë në kutinë e votimit, vota e Katerinës dhe Monikës janë njëlloj, por vota e Katerinës është shumë më e fortë, sepse Katerina ka shpresë, energji, dëshirë dhe pritshmëri shumë të lartë. Katerina, unë do të bëja gjithçka që ti dhe brezi yt të mos ikë nga Shqipëria. Një nga problemet më të mëdha që është sot dhe ti e ndjen presionin, çdo ditë, në shkollë, familje, shoqëri se çfarë do të ndodhë me mua, pasi të mbaroj maturën. Kjo është gjëja e parë që do të ju japim forcë ju dhe ju nëpërmjet forcës së votës të detyroni politikën, duke nisur nga Monika edhe pse Kejdi është njëlloj e fortë si ju. Duke detyruar Kejdin dhe gjithë forcën politike. Nuk besoj se ka ndonjë freshist që do të ikë nga Shqipëria. Të gjithë duan të rrinë këtu, me prindërit. Nuk besoj se ka ndonjë të ri që do të ikë. Kjo është një nga gjërat që ne duam ti japim forcë dhe fuqi votës tuaj. Prandaj unë do ju thoja, mos ndalo, fol çdo ditë me shokët e klasës edhe pse i bëni mësimet online, fol me ta, diskuto që të bindni jo vetëm rrethin thuaj shoqëror, por edhe familjet tuaja që të bëjmë ndryshimin. Ne kemi një program, nuk është shumë i madh, i komplikuar, është shumë i thjeshtë. Ka 5 prioritete shumë të thjeshta. Njëra ka të bëjë me xhepin e përditshëm të shqiptarëve, në mënyrë të tillë që familjet të kenë mundësi të luftojnë sa më shumë varfërinë. Dy pika janë shumë të rëndësishme për arsimin. Njëra është mëso e fito dhe tjetra është çështja e takses së të ardhmes që është 1% për bizneset e mëdha, që të shkojë drejtpërdrejt për Arsimin, të mos futet në buxhetin e shtetit që bëhet siç i do qejfi qeverive. Pra siç ja merr shkon direkt e në arsim. Pikën e katërt që e kemi për fermerët, meqë jemi në Lushnje, për të pasur prodhim vendase me zero % TVSH. Kjo do të thotë që shqiptarët të prodhojnë shqip, të konsumojnë shqip dhe të fitojnë shqip. Pra prodhimet e fermerëve të Lushnjes, Beratit, Gjirokastrës, Korçës etj., të mos hidhen në plehra, por të konsumohen. Dhe pika e fundit është nga bebja në bebe, që akoma nuk po na e kuptojnë ekonomistët idiotë, pasi po të kishim ekonomistë të mirë, Shqipëria nuk do të ishte kaq e varfër është nga bebja në bebe. Është një politikë që nuk e kemi shpikur ne, por e zbatojnë vende shumë të zhvilluara që kanë vizion për të ripopulluar shtetet e tyre, për të rritur jo vetëm lindshmërinë, por edhe për të rinuar moshën mesatare të popullatës së tyre, siç është Kanadaja apo SHBA. Por kjo është LSI, është një parti që kur e nisi betejën e vetë e nisi para 17 vitesh. Sot ja ku jemi. Dhe ajo që është akoma më e rëndësishme 25 vjet ikin shumë shpejt dhe do jetë më e rëndë për ne kur të mos kemi asnjë të ri në Shqipëri dhe do të kemi vetëm pensionistë të cilët do të qajnë dhe do të vajtojnë për mungesën e fëmijëve të tyre, sesa të kursejmë disa para, t’ua heqim oligarkëve ose koncesioneve dhe ti vendosim në shërbim të rimëkëmbjes së vendit tonë. Pra nga një emergjencë e menjëhershme e 5% që krijon efekt të menjëhershëm në buxhetet e familjeve shqiptare, te projekti bebe në bebe, që në fund të ditës gjithë ky zinxhir prej 5 prioriteteve krijon më shumë punësim për shqiptarët, punësim të mirëpaguar, profesionistë të mirë të cilët sa më cilësor të jenë studentët dhe nxënësit tanë, sa më cilësor të jetë arsimi aq më shumë do të mirëpaguhen. Aq më të mirë do të jenë, aq më konkurrues do të jenë në tregun e punë dhe në rajon dhe mbi të gjitha do të jetojnë të lumtur në Shqipëri, në këtë vend të bekuar. Jepini forcë votës suaj, punoni me të gjithë, imponojuni politikës, vendoseni me shpatulla pas muri, sepse është e rëndësishme që beteja për 25 prillin, është betejë për 25 vitet e ardhshme, kush do sundojë, do sundojë oligarkia apo do sundojë rinia”, deklaroi kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.