Kryemadhi: Djegia e mandateve, mënyra më e mirë për të denoncuar pushtetin autokrat të Ramës
Djegia e mandateve ishte mënyra më e mirë për të denoncuar pushtetin autoritar të Edi Ramës. Kështu është shprehur kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel.
E pyetur nëse djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale ishin veprimi i duhur, Kryemadhi tha se pa këto veprime të opozitës, qytetarët nuk do të ishin ndërgjegjësuar.
“Çdo ditë e më shumë jam e bindur që e vetmja mënyrë për të denoncuar dhe demaskuar qeverisjen e Ramës ishte djegia e mandateve. Nëse ne nuk do të digjnim mandatet, nëse ne nuk do të bënim atë proces për bojkotin e votimeve të Ramës të 30 qershorit, ne do të vazhdonim dhe do të kishim një raport si ai i zgjedhjeve të 2017, zgjedhje të lira dhe të ndershme“,- tha Kryemadhi.
Argumentit se me opozitën reale në Kuvend mund të bëhej luftë më e fortë parlamentare, Kryemadhi ju përgjigj se “kjo nuk është e vërtetë. Të mos harroni që kur ndërroi qeverinë Rama në fund të 2018, opozitës nuk iu dha e drejta për të disktutuar për ndryshimet në qeveri“.
Qëndrimit të kreut të qeverisë Edi Rama, i cili thotë se opozita ka pasur më shumë kohë në dispozicion për të folur kundër qeverisë në Parlament, Kryemadhi ju përgjigj: “Rama gënjen sepse shquhet për këtë gjë. Por nuk dua të hyj fare te zoti Rama, mjafton të kujtojmë që ne të kujtojmë që ku, në cilin vend të botës, kur bëhen ndryshime në qeveri, e kam me rregullore të Parlamentit, e kam me Kushtetutë, që kam të drejtën të diskutoj për qeverisjen, edhe ne na e hoqën të drejtën për të diskutuar kur u ndërrua qeveria”.
Duke folur për hapjen e negociatave kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se bllokimi i këtij procesi është benefit për qeverinë dhe kosto për qytetarët dhe opozitën. Sipas saj, moshapja e negociatave e çon Shqipërinë larg Bashkimit Europian dhe e afron atë me realitete të tjera, autokratike që cënojnë liritë themelore të qytetarëve.
“Rama i ka thënë 3 herë jo Shqipërisë nëpërmjet hapjes së negociatave me anë të sjelljeve të tij dhe veprimtarive të tij jo demokratike ku ka cenuar marrëveshjen e Stabilizim Associimit, ka cënuar disa kritere të Kopenhagenit përsa i përket demokracisë, fjalës së lirë, pronës etj. Çështjen e azilantëve kërkues të cilët çdo ditë e më shumë vjen numri i tyre duke u shtuar. Prej 3 vitesh është kërkuar nga Franca një plan masash nga qeveria shqiptare, jo vetëm që s’është bërë asnjë plan masash por as nuk është marrë mundimi për të nisur dhe për të hartuar një strategji për ndalimin e azilkërkuesve. Mos hapja e negociatave nuk është barrë e qeverisë është benefit për shqiptarët dhe barrë për shqiptarët dhe opozitën. Sepse mos hapja e negociatave do të thotë largim i Shqipërisë nga BE dhe ta afrosh me realitete të tjera, shtet autokratik, shtet që cënon lirinë e shprehjes, lirinë e pronës, lëvizjen e lirë të njerëzve”,- tha Kryemadhi në një intervistë për Top Channel.