Kryemadhi: Ftesa e Ramës për Bashën nuk më shqetëson, pas djegies së mandateve kemi arritur një konsolidim të jashtëzakonshëm për fitore plebishitare të opozitës
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë dhënë për gazetarin Rezar Xhaxhiu në FaxNews, ka folur për ditën e zgjedhjeve. Për kryetaren e LSI, dalja në zgjedhje në 25 prill është shumë më e rëndësishme se sa rezultati që do të marrë ajo si parti.
U frikësuat ndopak për këtë ftesën e z.Rama ndaj z.Basha?
Fare. Për një gjë të jeni të bindur. Marrëdhënia imë me z.Basha është një marrëdhënie që i kalon pritshmëritë politike, po themi të shumë marrëdhënieve të tjera që kanë pasur më përpara. Unë kam një eksperiencë shumë të mirë me z.Basha, të fushatës të 2011 ku ai kandidonte për Kryetar Bashkie në Tiranë dhe unë isha Kryetare e LSI në Bashkinë e Tiranës dhe patëm një fitore të jashtëzakonshme edhe pse ishte një nga nyjet dhe ngërçet e lidhjes së infrastrukturës së krimit të ndërtimit me mafiet etj që në e zhbëmë. Nga ana tjetër që me djegien e mandateve, me të gjithë procesin dhe hartimin e të gjithë planit të punës së opozitës me të mirat dhe të këqijat se nuk mund të themi që jemi perfekt,nëse do themi që jemi perfekt bëjmë gabimin më të madh të jetës sonë por me të mirat dhe të këqijat tona aty ku kemi mësuar nga gabimet, kemi mësuar nga defektet gjatë rrugës, kemi mësuar nga sjelljet, kemi arritur që të kemi një konsolidim të jashtëzakonshëm për të arritur një fitore plebishitare të opozitës. E cila jam e bindur që do kalojë të gjitha pritshmëritë, qofshin këto edhe të vetë opozitës edhe të shumë analistëve të tjerë. Nuk është fitorja jonë thjesht numri i mandateve që marrim. Fitorja jonë është ç’tensionimi i kësaj klime, hapja e negociatave me Shqipërinë për të cilën z.Basha është angazhuar që do ta realizojmë brenda 100 ditëve dhe jam e bindur që kjo gjë realizohet. Dhe tjetra krijimi i besimit të gjithë shoqërisë shqiptare tek strukturat dhe rikthimi i strukturave dhe institucioneve të shtetit në normalitet dhe në depolitizimin total të tyre.