Kryemadhi: Programi është gati, fokusi ynë familja, të rinjtë dhe ekonomia. LSI parti që mban fjalën
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në lidhje live për ”News 24” nga Fieri, tha se programi i LSI është gati, ku tha se fokusi është familja, të rinjtë dhe ekonomia. ”Tashmë na ndajnë vetëm 96 ditë nga 25 prilli, çdo ditë e më shumë vjen duke u ngushtuar hapësira midis datës 25 prill që do të jetë referendumi për të gjithë qytetarët shqiptarë, por nga ana tjetër rrit dhe përgjegjësinë e forcave politike, por më shumë të të gjithë atyre individëve, personaliteteve, liderëve apo edhe figurave publike të partive, për të shpallur programet dhe angazhimet e tyre, gjë që është nga më të rëndësishmet sot, për të cilat qytetarët shqiptarë kanë nevojë”,-tha Kryemadhi.
A e reflektoni ju feedback-un që merrni nga banorët në programin tuaj? Kur do të jetë gati programi i plotë i LSI-së?
Patjetër që programi është gati. Është reflektuar çdo gjë. Një nga pikat tona është punësimi i të rinjve dhe një punë e mirëpaguar për ta, si dhe arsimi. Sot sakrifica më e madhe e familjeve shqiptare është e ardhmja e fëmijëve.
Është mundësia që prindërit duan t’i japin fëmijëve të tyre, jo vetëm për arsim cilësor, por mbi të gjitha duan garanci për një punësim dinjitoz, me punë të mirëpaguar, por mbi të gjitha duan t’i kenë fëmijët e tyre në shtëpi. Kjo është pika kryesore, e cila është e patjetërsueshme, nga të gjitha kontaktet, bashkëbisedimet që kemi pasur, nga të gjitha fokus grupet, apo konsultimet me grupet e interesit, qoftë kjo në bujqësi, në blegtori, në industri, në arsim, në shkencë, në shëndetësi.
Pikat kryesore janë fëmijët, familja. Kostoja e jetesës, mundësia për t’i shkolluar dhe për të pasur një jetë të sigurt dhe ajo që është më e rëndësishme, është që ne jemi gati për të paraqitur alternativën tonë dhe për të mbajtur fjalën, sepse për hir të së vërtetës të gjithë njerëzit që takojmë na thonë që ju të LSI-së e mbani fjalën.