Kryeministri britanik flet për emigrantët shqiptarë, tregon planin për ta
Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak ka sjellë sërish në vëmendje çështjen e emigrantëve të paligjshëm që futen brenda shtetit, 30 përqind të të cilëve e zënë shqiptarët. Sunak këmbëngul se plani për dërgimin e zilkërkuesve në Ruandë do të vazhdojë.
“Sistemi që na nevojitet, sistemi që dua të prezantoj, është ai me të cilin nëse vini këtu në mënyrë të paligjshme, do të ndaloheni dhe do të ktheheni në origjinën tuaj menjëherë. Ne do t’i dëgjojmë pretendimet por çështjet do të trajtohen në një kohë shumë të shkurtër. Dhe nëse e bëjmë këtë, kështu do ta thyejmë ciklin”,-tha kryeministri.
I pyetur nga gazetari, Sunak tha se puna në 100 ditët e para të tij në qeverisje, kanë treguar mjaftueshëm.
”Kam një marrëveshje krejt të re me Shqipërinë. Shqipëria përbën 30 për qind të të gjithë emigrantëve të paligjshëm që futen në vend. Unë do të punoj me shqiptarët për të vendosur një marrëveshje të re që do të thotë për njerëzit që vijnë nga Shqipëria ilegalisht, ne do të jemi në gjendje t’i kthejmë të sigurtë përsëri në Shqipëri dhe kjo tashmë po ndodh. Numri i kthimeve do të rritet gjatë vitit. Kjo marrëveshje është marrëveshje e re”,-tha më tej Sunak.