“Kryeministri dhe qeveria nuk e kanë menduar mirë”, ish-kryebashkiaku i Lezhës: Si e refuzova ofertën joshëse për inceneratorët

Ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, shprehet kundër qasjes së qeverisë shqiptare për të zgjidhur problemin e mbetjeve përmes inceneratorëve.

I ftuar në Ora News, ai solli përvojën e tij në krye të bashkisë së Lezhës me diferencimin e mbetjeve në burim, e që sipas tij janë e vetmja zgjidhje për vendin.

Tushaj: Ka qenë një procedurë shumë abuzuese.Inceneratorët nuk janë qasje e duhur për Shqipërinë. Në Lezhë kam pasur fatin që në 2008  të implementoj mbledhjen e mbeturinave në mënyrë të diferencuar. Ishte projekt shumë ambicioz me katër kontenierë. Krijuam zinxhirin e mirëfunksionimit dhe të shitjes.Inceneratorët në Shqipëri absolutisht nuk kanë qenë zgjidhja e duihur përveçse një zgjedhje korruptive për t’iu dhënë mundësi atyre të fitojnë para.

Sipas Tushaj, Shqipëria nuk ka qenë e ndotur për shkak të mosrtrajtimit të mbetjeve por për mosvëmendjen e duhur të Ministrisësë Mjedisit, bashkive që kishin në dorë të pastronin Shqipërinë.

Tushaj: Qasja e duhur e Shqipërisë ishte diferencimi i mbetjeve. Pa hyrë pastaj te procedurat korruptive, dhënia e parave për inceneratorin e Fierit pa bërë asnjë punë, hedhjen e mbi 450 mln euro për inceneratorët kur sasia e mbetjeve urbane nuk do të  jetë e mjaftueshme për të bërë të mundur që këto inceneratorë të funksionojnë.

Tushaj tregoi për Ora News se edhe vetë ai si Kryebashkiak ka pasur oferta tejet joshëse për ndërtimin e inceneratorëve në qytet.

Tushaj: Kam pasur oferta kur isha kryetar i bashkisë së Lezhës për të ndërtuar inceneratorë në qytetin e Lezhës. Ishin oferta shumë joshëse, të tilla si më jep lejen për inceneratorin dhe unë të jap energji elektrike falas për qytetin për 10 vite. Një kompani që të bën një ofertë të tillë imagjino se çfarë fitimi ka dhe çfarë impakti negativ ka në mjedis. Jam i bindur që kryeministri dhe qeveria shqiptare nuk e kanë menduar mirë. Shumë vende të Europës që kanë mundësi të kontrollojnë teknologjinë nuk arrijnë në një vendimmarje të tillë që të djegin mbetjet.

SHKARKO APP