Kryeministri Edi Rama dhe Vlora në Ditën e Pavarësisë

 

Vlora është qyteti prej nga nisin një sërë investimesh me rëndësi strategjike për të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ishte sot çeljen e zyrës së re rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në qytetin e Vlorës, e cila do të shërbejë si pikë koordinimi me agjencitë e tjera qendrore e vendore, si dhe donatorët, për koordinimin dhe monitorimin e investimeve në zonë. Në takim merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, Drejtori i FSHZH Benet Beci, si dhe kryetarët e bashkive të rajonit të Vlorës, të majtë dhe të djathtë.

Projektet urbane, të cilat janë zbatuar përgjatë këtyre dy viteve në rajonin e Vlorës, si dhe ato që planifikohen të nisin vitin e ardhshëm përbëjnë një volum investimesh me vlerë 132 milion dollarë.

Lloji i investimeve, të shpërndara në të gjithë territorin e rajonit është mjaft i diversifikuar dhe përfshin një gamë të gjerë projektesh që nga ndërhyrjet në infrastukturën bazë në nivel lokal, tek projektet transformuese urbane si lungomare.

Deri tani në rajonin e Vlorës janë zbatuar dhe janë në përfundim rreth 18 projekte të infrastrukturës të investuara nga qeveria në kuadër të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve dhe projekteve të tjera zhvillimore në vlerën prej rreth 36 milion dollarë.

Fokusi i këtyre investimeve kanë qenë rikualifikimet urbane, infrastruktura rrugore, dhe ujësjellësat në zonën bregdetare Himarë, Sarande.

Viti 2016 do të shënojë për Vlorën nisjen e projekteve të reja, bashkëfinancime të qeverisë shqiptare me donatore të huaj. Projekti për Rrugën e Lumit të Vlorës, i cili ka një vlerë rreth 64 milion USD; si dhe projekti i financuar nga Banka e Këshillit të Europës, “Zhvillimi i integruar i zonës bregdetare dhe maleve perreth”, i cili parashikon për rajonin e Vlorës një portofol investimesh prej rreth 25 milionë Euro.

Përsa i përket investimeve në Bashkinë Vlorë, Loti i parë i këtyre investimeve ka një vlerë prej rreth 5.2 milionë Euro. Projekti “Akupunktura Urbane e qytetit të Vlorës”, përfshin ndërhyrje të integruara në një sipërfaqe prej rreth 170,000 m², të cilat konsistojnë në lehtësimin dhe përmirësimin e lëvizjes, duke i dhënë një frymëmarrje të re hapsirave publike. Projekti përfshin ndërhyrjet në segmente të rëndësishme si, rruga Transballkanike, bulevardin qëndror, rrugën e spitalit të Vlorës, si dhe rikonstruksionin e rrugës “Dhimitër Konomi”.

Ndërsa në vijën bregdetare të Jonit dhe Bashkinë Himarë Loti i parë i investimeve do të ketë një vlerë prej 11.7 milionë Euro, të cilat parashikojnë projekte për restaurimin dhe rikualifikimin urban të territorit në fshatrat e vjetër të Dhërmiut dhe Vunoit; ndërhyrje transformuese në zonën e plazheve të Dhërmiut dhe Jalit, si dhe rikualifikim urban të qendrës së Himarës, si vazhdimësi e ndërhyrjes në shëtitoren e saj.

Duke marrë fjalën në takim, Kryeministri Rama u shpreh se rajoni i Vlorës përbën një hapësirë të rëndësishme strategjike për zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe se ky program investimesh do ta kthejë në një histori suksesi. Por, kryeministri vuri theksin tek rëndësia e hartimit të projekteve cilësore që të garantojnë edhe impaktin pozitiv, edhe jetëgjatësinë. Edhe ato që projekte që vijnë, nënvizoi Kryeministri, lënë për të dëshiruar. Në këtë aspekt, zyra e re do të shërbejë për të fuqizuar kapacitet e projektimit dhe për të vazhduar vënien në jetë të një programi shumë të rëndësishëm zhvillimi me projekte strategjike për ekonominë, turizmin dhe për komunitetin në gjithë këtë territor që përfshin bregdetin e Jonit.

“Nuk kanë munguar dhe nuk na mungojnë paratë për të financuar këtë hapësirë, që është hapësirë strategjike për zhvillimin e vendit, zhvillimin e turizmit, zhvillimin e ekonomisë, zhvillimin social, por çështja është që duhet të kemi projektet dhe projektet mungojnë. Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kemi bërë progres. Janë nga njëra anë projektet e financuara, përmes FSZH, nga qeveria, janë nga ana tjetër fondet e Bankës së Këshillit të Europës. Njerëzit me shumë të drejtë kanë padurimin për të parë rezultate dhe për të prekur ndryshimin për të cilin kanë votuar dhe ku besojnë fuqimisht. Kemi një potencial të madh në dorë dhe kemi mundësinë ta kthejmë në një histori suksesi. Janë volumi më i madh i financimeve, sepse është një qark me një rëndësi strategjike, mirëpo ky volum financimesh duhet të kthehet në vepra të prekshme.”

Kryeministri Rama u shpreh se të gjitha projektet e parashikuara krijojnë një bazë shumë të mirë për të filluar impaktin e një transformimi real. Kryeministri kërkoi angazhim maksimal të pushtetit vendor në këtë moment kyç të zhvillimit, i cili duhet të luajë një rol të rëndësishme në ndjekjen e projekteve.  “Grupi i projekteve krijon një bazë shumë të mirë për të filluar impakti i një transformimi real. Që nga rruga e lumit të Vlorë, tek rruga hyrëse që duhet bërë me standarde reale europiane, deri tek ndërhyrjet e brendshme që plotësojnë projektin e Lungomares me të gjithë pjesët, këtu më pranë qendrës,  edhe tek vetë bulevardi ku ka nevojë për ndërhyrje që, e përsëris, vetëm bulevardi i një qyteti turistik nuk është ai dhe duke vazhduar më poshtë me Vunoin, me Dhërmiun, me plazhin e Jalës.” 

Kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli tha se projektet do të mundësojnë shanse të reja zhvillimi. “Konfirmojmë edhe një herë, më së miri, një qasje ndryshe, një vëmendje të veçantë në shikim të hapësirës së rajonit tonë, një këndvështrim të ri, duke dhënë shanse të reja zhvillimi. Edhe një herë jam mirënjohës për këtë iniciativë, vlerësoj këtë vëmendje të veçantë të Kryeministrit të vendit për Bashkinë e Vlorës dhe rajonin tonë.”

Pas takimit të zhvilluar, Kryeministri u shpreh në  një prononcim për mediat se zyra rajonale e FSHZH është një mekanizëm i ri, i cili vihet në dispozicion të komunitetit dhe bashkive, pas reformës administrativo-territoriale dhe që do të funksionojë edhe në rajone të tjera. Duke siguruar se Vlora mbetet prioritet strategjik, Kryeministri theksoi se pavarësisht vështirësive të kalimit nga një periudhë kaosi dhe informaliteti  në një epokë tërësisht të re, impakti i këtyre investimeve do të jetë gjithmonë e më i ndjeshëm.

“Së pari, gëzuar festën e flamurit nga qyteti i flamurit. Së dyti, ne deshëm ta shfrytëzojmë këtë ditë edhe për të çelur zyrën rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një mekanizëm i ri që i vihet në dispozicion komunitetit dhe bashkive pas reformës administrativo-territoriale dhe që do të funksionojë edhe në rajone të tjera për të fuqizuar kapacitet e projektimit dhe për të vazhduar vënien në jetë të një programi shumë të rëndësishëm zhvillimi të këtij territori ku janë një sërë projektesh që kanë nisur dhe një sërë projektesh që do të nisin vitin e ardhshëm, projekte strategjike për ekonominë, për turizmin dhe për komunitetin në gjithë këtë territor që përfshin bregdetin e Jonit.

Unë jam shumë shpresëplotë që me ecurinë e këtyre projekteve, edhe qytetarët që me të drejtë janë përgjithësisht të paduruar pas 20 e kusur vitesh zhgënjime, të mund të prekin nga afër arsyet konkrete dhe veprat konkrete për të cilat jemi kaq ngushtësisht të lidhur me njëri-tjetrin në këtë territor. Unë edhe një herë tjetër dua të siguroj qytetarët e Vlorës dhe qytetarët e gjithë këtij rajoni se Vlora dhe ky rajon mbeten një prioritet strategjik dhe pavarësisht vështirësive që ka kalimi nga një periudhë kaosi, informaliteti, ndërtimesh pa leje, rrumpalle territoriale në një epokë tërësisht të re, të gjithë ato vështirë do t’i përballojmë me sukses së bashku dhe impakti i këtyre projekteve dhe këtyre investimeve do të jetë gjithmonë e më i ndjeshëm, posaçërisht vitin e ardhshëm sepse një pjesë e tyre do të materializohen dhe një pjesë e tyre do të fillojnë intensivisht. Nuk po i numëroj të tëra, janë shumë projekte, por nënvizoj se faktikisht janë projekte, të cilat janë të ndërtuara bazuar në një projeksion strategjik të së ardhmes, ekonomike, sociale dhe sigurisht turistike të gjithë këtij rajoni”.

SHKARKO APP