Kryeministri Edi Rama:Njësoj të kërcënuar nga nazizmi i ri tek i ashtuquajturi ISIS

 

Nga Edi Rama.

Sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për sfidat e përbashkëta të Familjes Euroatlantike, për valët e reja të terrorizmit me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriut, shqetësimin e përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në lindje të Europës, vijimin e procesit të zgjerimit të Aleancës, misionet e përbashkëta por edhe për fuqizimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Të gjitha vendet aleate ndihen njëlloj të kërcënuara nga terrorizmi i shfaqur sot në trajtën e tij më barbare në formën e një nazizmi të ri tek i ashtuquajturi ISIS. Ndërkohë që njëlloj zotërojmë vullnet, kemi mundësi dhe kapacitete për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar këtë që Papa Françesku e quan një “Luftë të Tretë Botërore”.

Shqipëria sot përfaqëson në këtë Aleancë edhe një model, modelin e një vendi ku bashkëjetesa fetare, -apo ajo që Papa Françesku e quajti vëllazëria fetare, – është jo vetëm e mundur, po është baza solide e një paqeje dhe harmonie mes njerëzve të besimeve të ndryshme.

Me frymën e konsolidimit e të rritjes së sigurisë në rajonin tonë, Shqipëria shpreson që vendet aleate do të sqarojnë në kohën më të shpejtë mundësinë e afrimit dhe të institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën; me bindjen se në këtë rajon nuk duhen lënë zona gri dhe duhen eleminuar të gjitha potencialet që mund të shfrytëzohen nga e keqja me të cilën përballemi bashkërisht.

Duke përgëzuar Shqipërinë për angazhimin e saj shumë të fortë brenda Aleancës për sigurinë e Familjes së përbashkët Euroatlantike, si edhe për kontributet që vendi ynë ofron në misionet e NATO-s, Stoltenberg vlerësoi veçanërisht edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

SHKARKO APP