Kryeministri humbi 3 herë në fushë asnjëanëse ndaj Presidentit. Pra 3-0 për Ilir Metën
Nga Artan Hoxha
Pas dy akteve shtetare të Presidentit, dy dekreteve lidhur me shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore, Kryeministri ngrehu një komision parlamentar për hetimin dhe shkarkimin e Presidentit. Me Opozitën e larguar nga Kuvendi dhe bedelet e dalë nga fundi i listave të saj, Kryeministri ishte i sigurt se në seancë plenare i kishte me shumë se 94 votat e domosdoshme për vendimin propozues të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit.
Por, sipas Kushtetutës, Kuvendi merr vendim propozues, të paekzekutueshëm deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kompetencën ekskluzive për shkarkimin e Presidentit kur ajo vërteton fajësinë e Tij “për shkelje të rendë të Kushtetutës dhe kryerjen e një krimi të rëndë” gjithashtu.
Me togën e vet të deputetëve rilindas dhe bedelet e listave, Kryeministri nuk kishte e nuk ka asnjë problem të formulojë çfarëdo lloj akuze për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe shkelje të rëndë të ligjit nga Presidenti, ta mbështesë me çdo lloj arsyetimi a interpretimi ligjor, qoftë ky edhe absurd, e ta votojë me shumicë mbi 94 vota në këtë farë Kuvendi. Por, e gjitha kjo përpjekje nuk vlen pa Gjykatën Kushtetuese.
Piji lëngun!
Gjykata Kushtetuese, si pasojë e një (anti)reforme në drejtësi u shpartallua së bashku me Gjykatën e Lartë. Vendi vijon të jetë pa këto dy gjykata themelore, me gjykata të shkallës së parë e të dytë të hallakatura nën vetting e, së bashku me prokurorinë, të gjunjëzuara e në shërbim të turpshëm të Kryeministrit.
Për këtë (anti)reformë, që në janar 2014 kur ende nuk flitej ndonjë gjë konkrete, kam shkruar artikullin me titull “Reforma në drejtësi kryqëzatë kundër saj”.
Kryeministri i gëzohet pushtetit të vet të pabalancuar e të pakontrolluar me këtë derexhe gjyqsori dhe opozitën jashtë institucioneve por mungesa e Gjykatës Kushtetuese ia pamundëson shkarkimin e Presidentit, ndaj i duhet një Gjykatë Kushtetuese e kontrolluar me dorë të hekurt në të paktën gjysmën e anëtarëve të saj, pra minimalisht 5 vetë. Kontrolli i hekurt i Gjykatës Kushtetuese i duhet jo vetëm për të shkarkuar Presidentin por edhe për të mbrojtur antikushtetutshmërinë e plotë të ligjeve e vendimeve të ndërmarra këto vite që qeveris i vetëm.
Ndaj u kurdis i gjithë ai proces hileqar i seleksionimit dhe imponimit të kandidaturave për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, për ta vënë Presidentin përpara një liste të filtruar kandidatësh me detyrim përcaktim nga e cila Presidenti ose të zgjidhte me dorën e vet ekzekutorët e vet të ardhshëm ose të hiqte dorë dhe kualifikimi i gjykatësve të pëlqyeshëm nga Kryeministri të ridhte vetiu nga radhitja arbirare e servirur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe ky një organi i mirëkontrolluar nga Kryeministri.
Presidenti, në mbrojtje të Kushtetutes dhe kompetencave të veta, veproi me inteligjencë ligjore dhe e shmangu planin Kryeministror. Por Kryeministri nuk hoqi dorë. Çka nuk e arriti me skemën e akteve administrative të emërimit e tentoi me ndryshimet ligjore në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, përfshirë bërjen e betimit te noteri në rast se kjo nuk ndodhte te Presidenti.
Për çështjen e zgjedhjeve vendore, Kuvendi iu drejtua me nismën e vet Komisionit të Venecias dhe i shtroi pyetjen nëse Presidenti kishte shkelur rëndë kushtetutën dhe ligjin ndërsa lidhur me çështjen e emërimit të gjykatësve kushtetues dhe amendimet ligjore, këtij komisioni iu drejtuan edhe Kuvendi edhe Presidenti.
Ndërkohë, Kryeministri kishte hartuar edhe disa amendime në ligjin për mediet, amendime që kërcënonin lirinë e tyre. Nën kërcënim të veçantë ishin mediat elektronike që kanë lindur së fundmi, “balli i kazanit”, një pjesë e të cilave janë jashtë diktatit kryeministror dhe në opozitë të fortë me këtë regjim.
Amendimet nuk u dekretuan nga Presidenti dhe u kthyen mbrapsht prej tij si antikushtetuese. Kaq të mbrapshta ishin këto amendime sa detyruan vetë Këshillin e Europës t’i drejtohej Komisionit të Venecias kundër Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë – ngjarje kjo tepër, tepër e rrallë.
Për çështjen e parë, Komisioni i Venecias nuk gjeti asnjë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe as të rëndë të ligjit që të justifikonte shkarkimin e Presidentit. Përkundrazi, Komisioni i Venecias vlerësoi pozitivisht shqëtësimin dhe perpjekjet e Presidentit për të krijuar kushtet dhe mjedisin për gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve përmes instrumentit të vetëm të tij në një rast të këtillë e që është dekretimi i datës së zgjedhjeve.
Ndershmërisht, në këtë moment Komisioni Parlamentar për shkarkimin e Presidentit duhej të ishte shkrirë dhe Kuvendi e Kryeministri duhej t’i kërkonin ndjesë publike Presidentit, shqiptarëve gjithashtu, pasi bënë që Shqipëria të linte nam ndërkombëtarisht të keq në Venecia. Natyrisht që kjo nuk ndodhi se e gjitha nuk ishte gabim pa dashje.
Për çështjen e dytë, ajo e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Venecias u shpreh qartë e shkoqur se Presidenti veproi drejt e se ishte Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që veproi shtrembër, bashkë me të edhe Kuvendi, duke rrezikuar kështu ngritjen e shtrembëruar të këtij institucioni themelor të shtetit.
Ndershmërisht, në këtë moment edhe Komisioni Parlamentar për Shkarkimin e Presidentit edhe Komisioni i Ligjeve në Kuvend edhe vetë Keshilli i Emërimeve në Drejtësi duhej të ishin vetëshkrirë me dorëheqje se u turpëruan dhe na turpëruan për të dytën herë ndërkombëtarisht në Venecia. Natyrisht që kjo nuk ndodhi se e gjitha nuk ishte gabim pa dashje.
Për çështjen e tretë, ndersa Presidenti e ktheu ligjin amendues me arsyetim shterues për shkelje kushtetuese të lirisë së medies, të shprehjes e të informimit, Komisioni i Venecias, me një arsyetim te ngjashëm si dy pika uji, e shpartalloi ligjin e qeverisë.
Ndershmërisht, në këtë moment edhe Parlamenti duhej të ishte vetëshpërndarë dhe Kryeministri duhej të ishte dorëhequr se u turpëruan dhe prej tyre u turpëruam për të tretën herë në Venecia, këtë radhë të akuzuar drejtpërdrejt nga vetë Këshilli i Europës – ngjarje e paparë. Natyrisht që kjo nuk ndodhi se e gjitha nuk ishte gabim pa dashje.
Ndaj vlejnë edhe më shumë 3 fitoret e Presidentit në Venecia kundër Kryeministrit sepse bindën edhe botën se çfarë regjimi po sundon në Tiranë dhe përballë çfarë rreziku ndodhet Shqipëria dhe shqiptarët nese ky regjim do të lejohet të hedhë rrënjë.