Kryeministri hungarez: Nëse fiton Trump, Europa nuk mund ta përballojë e vetme luftën në Ukrainë
Evropa duhet të rimendojë mbështetjen për Ukrainën nëse Donald Trump zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara, ka thënë të dielën kryeministri hungarez, Viktor Orban, meqë, sipas tij, “kontinenti nuk do të mund të përballojë vetë luftën”.
Orban kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe e ka bërë të qartë se Trump ka qëndrime të njëjta, dhe do të negocionte një zgjidhje paqësore për Ukrainën.
Ai përkrah ish-presidentin Trump, kandidatin e republikanëve për president, në garën kundër nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, kandidate e demokratëve për presidente.
“Ne [në Evropë] duhet ta kuptojmë që nëse do të kemi një president pro-paqes në Amerikë, dhe unë jo vetëm që besoj, por po shoh edhe shifrat në atë drejtim.. nëse ndodh ajo që presim dhe Amerika do të jetë pro-paqes, atëherë Evropa nuk mund të jetë pro-luftës”, ka thënë Orban.