Kryeministri që përuron banesat private

Nga: Klodian Tomorri

Rastësisht u gjenda në Vermosh këtë fundjave. Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik sapo kishte përfunduar rikontruksionin e dy ndërtesave të kohës së komunizmit duke i përshtatur si qendra në funksion të turizmit. Njëkohësisht, qendra e fshatit ishte shtruar me kalldrëmin tipik të fshatrave malorë. Një punë e mirë, por kaq. Një investim i vogël, nga ato që duhet të bëhen çdo ditë me dhjetëra në një vend, qofte ky dhe i varfër.

Të dielën që në mëngjes, i gjithë Vermoshi dukej në shtetrrethim. Forcave të shumta të policisë, u shtoheshin me dhjetëra automjete të nëpunësve të shtetit. Ministra, zyrtarë ministrish, deputetë, nëpunësit e Bashkisë dhe ata te kryeministrisë kishin zaptuar gjithë fshatin. Me qindra. Ndërkohe rreth ores 11, në qiell filloi të kumbonte zhurma e një helikopteri. Brenda pak minutash në Vermosh u ul kryeministri.

Me dhjetëra kamera xhironin ato 50 metra katrorë ku ishte kryer investimi. Kryeministri mbajti një fjalim të gjatë direkt dhe teksa fliste, duartrokitej nga vartësit e tij të shumtë që kishte sjellë nga Tirana. Nga ana tjetër, funksionarët e tjerë të qeverise shpjegonin nëpër intervista planet e mëdha të qeverise për zonën dhe për turizmin. Ndoshta ndonjë nga ato intervista ka qenë e financuar edhe me para publike. Fundja vetëm Ministria e Bujqësisë ka fond të posaçëm 600 milionë lekë në vit, vetëm për të promovuar arritjet e qeverisë. Por kjo është një çështje tjeter.

Mua më pëlqen të bëj llogari. Fundja numrat janë e vetmja gjë që kemi më afër të vërtetës. Fillova të mendoj se sa mund te ishte kostoja totale e rikonstruksionit të dy godinave dhe 30 rrasave të gurit dhe sa mund të ishte kostoja e mobilizimit të gjithë shtetit në Vermosh. Nuk i kam shifrat e sakta, por kam shumë frikë se vetëm kostoja e karburantit të helikopterit, me të cilin fluturoi kryeministri nga Tirana në Vermosh, e tejkalonte gjithë investimit. Kjo është qeveria që kemi.

Doja ta xhiroja të gjithë atë teatër qesharak. Por nuk kisha mundësi se me kishte lënë bateria e telefonit. Në Vermosh dhe në Lepushë shumicën e kohës nuk ka drita. Edhe atëherë kur ka, tensioni është në rastin më të mirë 130 volt. Duke parë ceremoninë e madhe të shout, një nga punonjësit e bujtinës, ku po qëndroja, nisi të fliste me inat. “Në vend të shtrojnë një kabull për dritat, sjellin gjithë shtetin këtu për 30 rrasa guri”- mërmëriti. Nisa të qesh. Por marrëzia nuk ishte e thënë të mbaronte me aq.

Pak metra tutje qendrës së Vermoshit, 4 qytetarë kishin ndërtuar banesat e tyre private. Ishin disa shtëpi të vogla, por të hijshme, tipike për fshatrat turistikë malore. Te katër këta qytetarë u dekoruan nga kryeministri sepse kishin ndërtuar nga një shtëpi. Motivin e dekoratës nuk e mora vesh. Por jetojmë në kohe të cuditshme. Qeveri që dekorojnë njerëzit se ndërtojnë banesa. Kush do ta kishte menduar. Ndërkohë mendimet m’i ndërpreu një zhurmë e fortë. Ishte gjeneratori i bujtinës që u ndez. Qeveria e kishte përfunduar shoun. Dritat në Vermosh u fikën sërish.

SHKARKO APP