Kryeministri Rama dhe Kryeparlamentari Meta, paqe e përkohshme

 

Takimi i ditës së shtunë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta kaloi pa komente nga të dyja palët. Kurse fillimi i javës ka nisur me aktivitete intensive të dy aleatëve kryesorë në koalicion, nga ku janë dhënë  mesazhe indirekte mbi atë çka është vendosur  në takimin 100 minutësh të fundjavës. Fillimisht kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste. Në takimin me deputetët e PS-së, ku Rama kishte kohë që mungonte, i është dashur të japë shpjegime të gjata lidhur me qeverisjen dhe koalicionin. Burime nga takimi thanë se kryeministri ka deklaruar që nuk do të ketë ndryshime në qeveri. Por nuk e tha prerë se nuk do të bëjë ndryshime.  Rama i ka mëshuar dhe njëherë faktit se sipas tij, qeveria po punon si një skuadër dhe çdo gjë po ecën sipas parashikimeve. Ai nuk ka hezituar t’i quajë kërkesat për ndryshime në qeveri, si sinjale që vijnë nga mediat dhe jo nga njerëzit që e kanë votuar të majtën për të qeverisur. Këtë qëndrim për ndryshimet në qeveri, kryeministri Rama e ka mbajtur edhe në një komunikim të shkurtër me gazetarët. “Puna juaj (e gazetarëve) është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe kujtoni se ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që e keni folur ju!”, deklaroi kryeministri. Por duket se tjetër gjë tha e tjetër mendon për disa prej ministrave të tij. Edhe vetë e di se di “kuaj” nuk e tërheqin karrocën qeverisëse.

Por ndërsa Rama ka këmbëngulur dje se nuk ka nevojë për ndryshime në qeveri, një tjetër qëndrim ka mbajtur aleati kryesor i koalicionit, Ilir Meta. Pasditen e djeshme, kreu i Kuvendit ka zhvilluar mbledhjen e Kryesisë së LSI-së, në mënyrë të qartë ka lënë të kuptohet se nuk ndan të njëjtin mendim me kryeministrin për punën e qeverisë. I pyetur mbi ndryshimet në qeveri, Meta tha se “ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Përsa u takon ndryshimeve ia kemi lënë iniciativën gjithmonë kryeministrit kur ai e gjykon të arsyeshme”. Me troç nuk kishte se si ta thoshte Meta mosdakortësinë për punën e qeverisjes se sa e tha dje pas mbledhjes. Por i la një shteg kryeministrit. Që ti bëjë për të mos u dukur se e detyruan me zor. I la kohë pak muaj, me sa kuptohet.

Gjithnjë e më tepër po flitet në media e publik për ndryshime në emrat e kabinetit “Rama” pasi ka ministra që duhen larguar një orë e më parë me dajak e jo me shkarkim. Në media, prej 3 ditësh, kanë qarkulluar  emrat e ministrave që mund të lënë karriget dhe emrat e atyre që do t’i zëvendësojnë. Në fakt më saktë dihet se kush do iki pasi emrat zëvëndësues i di vetëm Edi Rama. Edhe në vetë partitë kryesore pranohet se ndryshimet janë vendosur. Kryeministri thuhet se ka në dorë edhe letrat e shkarkimit të ministrave, por nëse vendimi do të publikohej këto ditë, në PS dhe grupin parlamentar do të interpretohej si dorëzim i kryeministrit para aleatit kryesor. Ndaj Rama thotë “Jo” ndonëse edhe vetë e ndjen se duhet “Po”. Kryeministri ka ritëm jashtëzakonisht të lartë pune kurse një pjesë e kabinetit mbetet larg, bile shumë larg hapit të tij për reforma. Këtu flitet për ministra të PS-së dhe LSI-së, pra jo vetëm të selisë rozë. Edhe brenda PS-së ka dy grupime që duan patjetër ndërrim ministrash. I pari  Ben Blushi që mbron idenë e reformave sa më pranë interesave të publikut dhe një grupim tjetër i kryesuar nga Ruçi e Taulant Balla të cilët duan ndërrimin e “kuajve” qeverisës pasi ministrat janë lodhur dhe shkumëzojnë nga udha e gjatë se cilës nuk ia dalin dot.

Në këto muaj me diversione, zëra për krisje të koalicionit dhe deri tek zgjedhje të parakohshme, Ramës i intereson të tregojë se e ka situatën nën kontroll dhe se ai nuk ndikohet nga aleati kryesor.  Pra, marrëveshja për heqjen e disa ministrave duket se është bërë. Por pjesë e marrëveshjes është edhe koha kur do të bëhen. Duket se kryeministri ka kërkuar më shumë kohë dhe kreu i LSI-së i ka dhënë kohën e duhur, por duke i kujtuar gjithmonë se “qeverisja ka nevojë për energji të reja”. Me sa lexohet nga muaji dhjetor ose janar të vitit të ardhshëm do të kemi qeveri të re. Ndërkohë Meta fiton simpatinë e publikut, sepse edhe ata janë mërzitur me disa ministra socialistë, por edhe ia lë në derë fajin Ramës për mosrealizimet dhe keqqeverisjen e tij. Ka të drejtë të thotë nesër se “unë të kërkova ndryshime se i donte populli kurse ti i përkedhelje ministrat “! Nga dje pikët e kreut të LSI janë rritur shumë në të majtën shqiptare, se edhe selia rozë nuk i do disa ministra të saj.

Përkohësisht ka rënë paqja në mazhorancë, porse Meta gjithnjë rri me sy hapur se nuk i dihet se çfarë ka në kokë lideri i PS-së. Loja politike për CEZ e sajuar mjeshtërisht nga Doshi e Prifti në koordinim edhe me një pjesë të biznesit mediatiko-financiar që luan miliarda po shuhet nga pak e përditë. Në lojë janë 135 milionë euro që ky grupim antiMeta po punon ti marrë shtetit shqiptar. Varet se sa kryeministri do të rezistojë presionit të tyre dhe se kur do të flas publikisht ministri përgjegjës Damian Gjiknuri.

Damiani duhet të hap gojën në parlament e jo të presë që ta thërrasë prokuroria pas pak ditësh.

 

 

SHKARKO APP