Kryeministri Rama ikën nga selia e PS me makinë të blinduar. Vladimir Gjuta arrestohet me pistoletë te PS-ja
Vladimir Gjuta është kapur nga gardistët ndërsa zhvillohej mbledhja e kryesisë së PS. Mësohet se ai ka qenë i pajisur me armë.
Detaje të reja janë zbardhur nga shoqërimi i Vladimir Gjutës, pranë selisë së PS.
Gjuta ka tentuar të futet me forcë në selinë rozë, në momentin që brenda ka qenë kryeministri Edi Rama, duke zhvilluar mbledhjen e Kryesisë së PS.
Kjo ka bërë që Garda të ndërhyjë për ta neutralizuar Gjutën, deri në momentin kur kanë mbërritur policët dhe e kanë shoqëruar në komisariat, aty ku ndodhet akoma.
Sipas qytetarëve që kanë parë ngjarjen, Gjuta ka qenë i armatosur, në momentin që ka tentuar të hyjë në selinë e PS. Sipas gazetares së news 24 në terren, ky informacion nuk është konfirmuar ende nga policia, e cila pritet të reagojë zyrtarisht për ngjarjen.
Vladimir Gjuta është një emër shumë i njohur ky për drejtësinë, për shkak të precedentëve penalë.
Vladimir Gjuta nuk është një emër i panjohur për publikun. 40-vjeçari, një emër i njohur kryesisht 5-vitet e fundit, veçanërisht sa i takon një hetimi të nisur te ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda për shpërthimin me tritol të kryer ndaj farmacisë të babit të ish-ministrit Tahiri u lirua nga paraburgimi më 5 shkurt, pasi ishte arrestuar se kishte rrahur me çekiç kushëririn e tij, duke i thyer dhëmbët dhe duke i dëmtuar njërin sy.
Mësohet se kushëriri që ishte dhunuar nga Gjuta, u tërhoq nga ankimi dhe prokuroria kërkoi revokimin e masës, ndërsa gjykata vendosi që ta lërë të lirë.
Pas arrestimit të Vladimir Gjutës, 10 minuta para se të mbaronte mbledhja e Kryesisë në Partinë Socialiste, ka bërë që Garda të rriste sigurinë e kryeministrit Edi Rama. Kryeministri Rama fillimisht ka ardhur me makinën e tij ”Benz”, ndërsa më pas është larguar për çështje sigurie me makinën “Lincoln” e cila është e blinduar. Dëshmitarë okularë që kanë parë skenën e ndalimit të Vladimir Gjutës nga gardistët thanë se në ”momentin kur Gjuta është mbërthyer nga pesë efektivë të gardës, mbante një kapele LOUIS VUITTON dhe një çantë krahu Gucci që ishte e fryrë”.
Nuk dihet akoma se cilin priste Gjuta me armë në brez. Ndaj shërbimet e kryeministrit dhe policisë ka vendosur që kryeministri të mos lëvizë me makinën me të cilën erdhi, por me makinë të blinduar.