Kryeministri Rama në Kavajë: 500 legalizime falas. Më shumë se në 8 vjet bashkë

Ndonëse kishte aplikuar nëntë vjet më parë, kishte paguar disa herë, por nuk kishte mundur ta përfitonte pronësinë mbi shtëpinë e tij. Kjo është historia e një qytetari me statusin e invalidit në Luz të Kavajës, i cili sot ishte një ndër ata që u bë pronar i banesës së tij. Për t’i dorëzuar lejen e legalizimit, në shtëpinë e tij ishte Kryeministri Rama dhe Drejtori i ALUIZNI-t Lame. Kjo, pasi ky banor i Kavajës e kishte të pamundur fizikisht të ishte në ambientet ku u ndanë lejet e legalizimit për qytetin e Kavajës. “Kam nëntë vjet që e pres,” – rrëfeu ai – “nëntë vjet mundim, sorollatje, harxhim. Faleminderit nga zemra!

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e shpërndarjeve të certifikatave të pronësisë në Kavajë:

Më lejoni të them që në fillim se është kënaqësi e veçantë që të vij këtu, pasi kemi parë disa ndryshime shumë të rëndësishme që po e prekin nga afër Kavajën në rrugën e rilindjes urbane. Jam shumë krenar që çka kemi premtuar për Kavajën, po bëhet realitet dita-ditës. Jam shumë i lumtur që më në fund, ky qytet me tradita të rëndësishme, të hershme dhe bashkëkohore, ky qytet që ka një kontribut të posaçëm në transformimin demokratik të vendit tonë, pas 25 vjetësh, po shikon dritë. Pas 25 vjetësh po bëhet më në fund me sheshin europian mesdhetar që i takon qytetarëve të vet dhe që do të jetë pa asnjë dyshim, një nga hapësirat më të bukura publike të Shqipërisë.

 

I jam mirënjohës dhe falënderues Kryetarit të Bashkisë, i cili i ka qëndruar punëve në kokë, jo si në shtëpi të huaj, por si në shtëpinë e vetë dhe i ka shërbyer me një përkushtim për t’u marrë shembull këtij komuniteti, këtij qyteti, dhe ka bërë të mundur me projekte bindëse, që Qeveria të angazhojë shumën më të madhe të fondeve që është angazhuar për Kavajën, krahasuar me 20 vjet, brenda një viti të vetëm. Se kaluat 20 vjet dhe ju përmendnin vazhdimisht një sistem ujësjellësi që nuk punon. Ne jemi të vendosur që, atë që ju po shikoni dita-ditës, duke filluar nga qendra e Kavajës, ta shikoni muaj pas muaji dhe vit pas viti në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo hapësirë, ku ju jetoni si banorë të këtij qyteti, ku dashurohen, martohen çifte të reja, ku lindin fëmijë që meritojnë të kenë një qytet europian, jo një xhep fallco siç e kishin lënë për 20 vjet në harresë, në pluhur dhe në rrënim.

Nga ana tjetër, sot ka shumë rëndësi ky takim edhe për faktin se, ndërkohë që në 8 vjet, nga viti 2005 deri në vitin 2013, ata të cilët e morën 20 vjet rresht pa kushte votën tuaj, bënë vetëm 461 legalizime. Ne sot bëjmë 500 legalizime që janë rezultat i një pune të më pak sesa të një viti të vetëm. E jo vetëm kaq, por si kudo tjetër edhe në Kavajë e njëjta histori; nga ato 461 legalizime, 80 % ishin hotele, restorante, motele e ku e di unë se çfarë tjetër, por jo shtëpi. Ndërkohë që të 500 legalizimet tona sot, janë shtëpi për ata që kanë sakrifikuar, që kanë ndërtuar me gjak dhe me djersë dhe që kanë vite të tëra që presin në radhë, kanë paguar disa herë dhe janë kthyer mbrapsht vit pas viti. Sot ata marrin atë që ju takon dhe e marrin falas.

Kavajën, legalizuesit e mëdhenj të viteve të rrënimit, e futën në histori me një rekord qesharak. Bënë një legalizim të një klubi ngjitur me bashkinë. Është e vetmja godinë në botë që ka tre faqe të vetat, një faqe të shtetit. Në dokumentin e legalizimit të kësaj maskarade shkruhej ekzaktësisht kështu: “tre faqe muresh të personit, një faqe muri e bashkisë”. Ishte bërë dhe pronar zotnia dhe i kishte vënë dhe kurrizin Bashkisë, kishte zënë dhe rrugën midis Bashkisë dhe anës tjetër, ku nuk futeshin dot, jo ambulancat, por nuk futeshin dot as ata që janë pak më të shëndoshë se ç’duhet.

 

Kështu që besoj që sot ne po hapim një faqe të rëndësishme të historisë së rilindjes urbane, të historisë së zhvillimit social dhe ekonomik, sepse siç e kam përsëritur disa herë, kjo leje legalizimi që ju merrni, nuk është vetëm dokumenti që e bën shtëpinë tuaj të paprekshme, por është dokumenti që e kthen shtëpinë tuaj në një pasuri. Duke ju dhënë mundësinë që juve të mund ta përdorni këtë pasuri për të shkuar në bankë dhe për të marrë kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të çuar me studime djalin apo vajzën, për të blerë një makinë, etj. Pra, nga një strehë pa leje, pa asnjë vlerë që nuk e njihte askush, sot keni një pronë të patundshme që e njeh shteti dhe e njeh dhe çdo bankë që ju do të doni të hyni në marrëdhënie.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm historik. Ky ndryshim do të sjellë të mira për ekonominë tonë kombëtare dhe për ekonominë familjare të të gjithë atyre njerëzve që kanë derdhur të gjithë paratë e kursimeve të tyre për të ndërtuar ato mure dhe për të ndërtuar atë çati dhe që kaq shumë vite kanë marrë mbrapsht vetëm poshtërimin, gënjeshtrat dhe mosrealizimin e ëndrrës së tyre të vetme, të kenë letrat e shtëpisë së tyre.

Nga ana tjetër dua ta theksoj që paralelisht me legalizimet, ne kemi zgjatur edhe për pak kohë procesin e vetëdeklarimit, duke marrë në konsideratë 4 mijë vetëdeklarime të reja në të gjithë zonën e Kavajës. Kemi përcaktuar qartë në ligj që pas kësaj nuk ka më asnjë shaka me ligjin. Nuk ka më asnjë shaka me pronën e tjetrit, nuk ka më asnjë shaka me pronën e shtetit, nuk ka më asnjë shaka as me pronën tënde sepse vendosja e një tulle të vetme pa leje, konsiderohet vepër penale dhe ndëshkohet nga Kodi Penal. Kështu që, të gjithë duhet ta kenë mirë parasysh këtë gjë, që ky është fundi i lumtur i një rrumpalle, që zgjati 20 vjet dhe që mbaron përfundimisht me afatin e skadimit të vetëdeklarimeve.

E para e punës, ata që i kanë marrë lejet dhe kanë vazhduar të qëndrojnë këtu, të jenë të sigurt që lejet janë të sigurta, janë prej vërteti, nuk janë “Shaban tapi” që sa del nga televizori i bie vlera. Kështu që nëse keni ndenjur këtu për të marrë këtë garanci e keni, këtë garanci e keni. Se me çfarë ju kanë parë sytë keni të drejtë që të mos besoni se kjo që keni marrë sot është ajo që keni pritur 10 vjet e 20 vjet.

500 qytetarë të Kavajës dhe komunave të saj u bënë sot zot të shtëpisë së tyre, kjo falë përmbylljes së procesit të legalizimit për banesat e tyre. Një proces të cilin ata e kanë nisur prej vitesh, por edhe pse kishin përmbushur detyrimet ligjore, nuk kishin mundur ta merrnin lejen e legalizimit. Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Drejtori i ALUIZN-it ishin sot në Kavajë për të shpërndarë këto legalizime, të cilat janë falas.

Më poshtë janë disa prej prononcimeve të banorëve të Kavajës të cilët ashtu siç pohojnë dhe vetë sot janë bërë me shtëpi:

-Ndjej një kënaqësi të veçantë që këtë legalizim e kam marrë nga dora e Kryeministrit tim. Gjithashtu si një ish mësuese e qytetit këtu ndjej një kënaqësi të madhe që ish nxënësit e mi bënë të mundur legalizimin e shtëpisë sime. U desh ky ekip djemsh të rinj që unë të marr legalizimin e shtëpisë sime.

-Kam aplikuar që në 2005. U desh që të vijë Rilindja që unë të marrë këtë dokument falas. Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë drejtorin e ALUIZNIT Dorjan Muratin me gjithë stafin e tij që na ka ardhur shtëpi më shtëpi e derë më derë, e nuk kemi ardhur fare ne tek ky.

-Kërkesën e kam bërë në 2005. Sot u bë realitet. Deri sot kam qenë pa shtëpi, sot jam me letra, çdo gjë në rregull. Faleminderit shumë!

– Unë kam kohë që e kam bërë aplikimin, por me thënë të drejtën, për të mos qenë shumë hipokrit, unë jam pishtar i demokracisë. Në radhë të parë do të uroja zyrën e ALUIZNI-t në Kavajë, që na është gjendur fshat më fshat, lagje më lagje dhe shtëpi më shtëpi që na kanë ardhur. Kurse falënderimi tjetër i shkon Kryeministrit Rama, bashkë me qeverinë e vet. Urime, Zoti të ndihmoftë në punët tuaja të vështira që ke marrë përsipër.

– Ju faleminderit! Është diçka e rrallë që një Kryeministër të vijë dhe të japë tapitë, për mua është diçka shumë e rrallë. Dua të përshëndes edhe kryetarin e bashkisë për punën që ka bërë. 

– E kam bërë kërkesën para tetë vitesh. Ma dha zoti Rama, sot.

– Kam aplikuar që në 2006 dhe sot u bë realitet.

– Aplikimin e kam bërë në 2005-n. Kam paguar detyrimet e qeverive që kanë ardhur dhe kanë ikur. Faktikisht po them një të vërtetë të hidhur, më kanë kërkuar 600 mijë lekë që unë nuk kisha. Tani falë punës suaj e mora falas. Faleminderit për këtë dhuratë që më bëni.

– Kam që nga viti 2006 që kam paguar dhe e marr sot. Kam paguar jo më pak se 800 mijë lekë dhe sot bindem që kam marrë pronën time. Këtë radhë nuk kam paguar as kafe dhe as ujë. Do ju përshëndes ju si kryeministër, ekipin tuaj, do të përshëndes zotin Lame për këtë punë të shkëlqyer dhe nuk harroj edhe kryetarin e bashkisë, me një staf të shkëlqyer.

– Është një gjë që u bë realitet.

– Faleminderit zoti Kryeministër për premtimin që mbajte në tërë Shqipërinë!

 

Një prej atyre që morën lejen e legalizimit, pasi falenderoi për këtë premtim të mbajtur, u shpreh: ”Më bëri përshtypje. Dje kam bërë analizat të gjitha dhe asnjë lekë s’më morën. Po mbani jo vetëm premtimin për legalizime falas, por edhe për shëndetësinë. Asnjë lek nuk pagova!”

 

Në përgjigje të këtij zotërie të moshuar Kryeministri Rama theksoi se rezultatet në shëndetësi kërkojnë më shumë kohë: “Unë jam i vetëdijshëm që nëse me legalizimet rruga është e hapur dhe procesi nuk është i vështirë, sepse mjafton përgjegjshmëria dhe vullneti për t’i shërbyer njerëzve, dhe kjo bëhet. Tek shëndetësia rruga është pak më e komplikuar, janë pak më ndryshe edhe hapat, dhe duhet pak më shumë kohë për t’i parë rezultatet ashtu siç ne i dëshirojmë, por do t’ia dalim. Do t’ia dalim dhe aty, njësoj siç do t’ia dalim edhe në të gjitha fushat.”

 

Gjatë bisedës me banorët e Kavajës Kryeministri edhe njëherë bëri apel për pagesat e energjisë elektrike dhe jo vetëm, sepse të paguash dritat, taksat dhe të gjithë detyrimet që të takojnë, nuk është të japësh lekët kot, por të investosh për fëmijët e tu:

 

“Me dritat si jeni, i keni paguar apo jo? Se do dritë shtëpia, po dritat paguhen. Por ju që jeni këtu, që keni ndërtuar një shtëpi, e dini më mirë se çdokush tjetër që flet në kafene apo që flet në tribunat e politikës dhe ha bukë me llafe dhe rrena, se çfarë do të thotë të ndërtosh. Se sa punë duhet nga shtëpia që e imagjinon tek shtëpia që e ndërton. Nëse për të ndërtuar një shtëpi, duhet ajo kohë që ju është dashur juve, ju e kuptoni se çfarë do të thotë të ndërtosh një shtet të rrënuar dhe të bërë copë-copë.

 

Unë jam i sigurt se çdo shqiptar që e di se çdo të thotë punë, dhe çdo të thotë të bësh diçka me punë, di ta vlerësojë atë që ne kemi bërë, që është vetëm fillimi dhe që kemi shumë e më shumë për të bërë. Unë jam i bindur që ky është mjedisi më i mirë për të folur edhe për këtë aspekt. Mjedisi i njerëzve që i kanë ndërtuar gjerat me punë, që i kanë ndërtuar gjërat nga e para. Ndërtimi i shtetit shqiptar ashtu siç e meritojnë shqiptarët, dhe mbi të gjitha fëmijët tanë, kërkon mund, sakrifica, sepse ne nuk mund t’i faturojmë fëmijëve kostot e budallallëqeve të të sotmes që janë mbledhur nga e djeshmja. Nuk mund t’i lëmë fëmijëve në kurriz borxhet. Kështu që për këtë arsye, të paguash dritat, taksat dhe të gjithë detyrimet që të takojnë, nuk është të japësh lekët kot, por të investosh që fëmijët e t’u të jetojnë më mirë.

 

Sepse 80% e sistemit të shpërndarjes së energjisë sot, është 40 vjeçare.  Në 80% të sistemit të shpërndarjes në territorin e vendit, që e sjellin tensionin një herë lartë një herë poshtë, janë që në kohën e elektrifikimit të Enver Hoxhës. Turp! Sepse në 25 vjet nuk mendoi njeri që me paratë e mbledhura të investonte në këtë shërbim. Por përkundrazi, në vitin 2007, OSHEE e filloi me 0 borxhe. Nga janari 2007 në qershor të 2013 OSHEE preku 1 miliard dollarë borxh, dhe që nga janari në gusht të 2013 është rritur 200 milionë dollarë borxhi, duke lënë njerëzit të bëjnë çfarë të duan me energjinë. Dhe, e gjithë kjo shkon në kurriz të gjeneratës tjetër.”

 

Një tjetër çështje që preku Kryeministri Rama ishte dhe çmimi i naftës, duke sqaruar të vërtetën lidhur me të: “Se flasin këta për çmimin e naftës, shqetësohen shumë për çmimin e naftës, dhe thonë hiqni taksat. E para e punës, në Shqipëri brenda çmimit të naftës janë dhe dy taksa të tjera që vendet e tjera i kanë veç. Që do të thotë se nuk është e vërtetë që në vendet e tjera nxirret nga xhepi më pak. Taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit vendet e tjera e paguajnë veç. Ndërsa ne e kemi në çmim. Këtë vendim nuk e kemi marrë ne, por ata që sot bëjnë llafe, dhe është një vendim i drejtë që ta fusim në çmim. Këtë po e bëjnë dhe vende të tjera të rajonit. Pra, nga pikëpamja e parave që harxhojnë njerëzit për automjetin e tyre, shuma është e njëjtë ose më pak këtu tek ne se në vendet e tjera. Sepse nëse këtu të gjitha paguhen brenda çmimit, në vendet e tjera paguan naftën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe po t’ia shtosh, llogaria është shumë e thjeshtë.”

SHKARKO APP