Kryeministri Rama rikthehet në drejtimin e qeverisë pas 119 ditësh mungesë
Nga 22 korriku deri në 18 nëntor janë plot 119 ditë mungesa për Kryeministrin Edi Rama në drejtimin e qeverisë.
Sipas asaj që zbulohet në faqen e Kryeministrisë pas çdo mbledhjeje të qeverisë, para mbledhjes së ditës së djeshme, Kryeministri Rama e kishte drejtuar kabinetin për herë të fundit në 22 korrik.
Që nga 22 korriku deri më 18 nëntor janë plot 13 mbledhje të qeverisë që janë drejtuar nga zëvendësi i Ramës, Erion Braçe.
Përgjatë këtyre pothuajse 4 muajve që kreu i qeverisë Rama nuk ka qenë në drejtimin e mbledhje të kabinetit qeveritar, ky i fundit ka dërguar në Parlament një sërë ligjesh dhe vendimesh të një rëndësie të veçante.
Ndër më madhorët vlen të theksojmë buxhetin e shtetit, i cili u miratua në Kuvend vetëm pak ditë më parë.
Nuk ka statistika zyrtare për mungesat e një Kryeministri shqiptar në mbledhjen e qeverisë, por me shumë gjasë, kjo mospjesëmarrje e Ramës në drejtimin e qeverisë në këto 119 ditë besohet të jetë ndër më të gjatat, në mos më e gjata.
Sakaq, nuk dihet se përse ka ndodhur kjo mungesë kaq e gjatë e Kryeministrit në mbledhjet e qeverisë, pasi në publik ai në këto muaj është shfaqur vazhdimisht, pa asnjë ndërprerje.