Kryeministri reagon ndaj “kritikëve të painformuar”, pas kalimit të reformës në arsim

Pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve, reforma për arsimin e lartë, siç pritej kaloi me votat e maxhorancës në parlament në orët e para të mëngjesit dhe kryeministri Rama deklaroi në profilin e tij Facebook, rëndësinë e saj për një sistem arsimor ndryshe, dhe më të mirë në të ardhmen.

– “Kalon në orët e para të mëngjesit reforma që revolucionon arsimin e lartë, nis një ditë e re shpresash e sfidash për universitetin shqiptar,” – deklaroi kryeministri Edi Rama, pas miratimit.

Mirëpo ka pasur komente të ndryshme që kanë kundërshtuar reformën, aq sa kryeministrit si rrallë ndonjëherë është dashur të shpjegohet, “ Lexoj komentues që padyshim s'e kane lexuar ligjin po kanë dëgjuar kundërshtarët e lodhur dhe cinikë  të reformës, të  cilët derdhin lotë krokodili për të varfërit e në fakt qajnë hallin e privilegjeve që humbën me ligjin e sapomiratuar! Dhe gënjeshtra e madhe se reforma favorizon të pasurit dhe përjashton të varfërit i ka këmbët aq të shkurtra sa shumë shpejt kushdo që i beson kësaj gënjeshtre do ta kuptojë sa kot ankohet,” – sqaroi Rama.

Më tej kryeministri shtoi: “Jo jo, reforma nuk është për të  favorizuar të  pasurit po konkurrencën, meritën, cilësinë! Jo, jo, reforma nuk është për të penguar të  varfërit të shkojnë në universitet po për të ndaluar grabitjen e ëndrrave e të kursimeve të  familjeve shqiptare nga një sistem që prodhon diploma po nuk jep dije, edukim, punësim. Asnjë i varfër nuk do humbasë të drejtën të studiojë në universitet për shkak të varfërisë. Shteti do të financoje studimet e tij thotë ligji.”

“Merita jo pasuria do të jetë njësia e re matëse për këdo që dëshiron të kryeje studimet e larta. Prandaj të  dashur komentues mos kini frikë se varfëria mund të lërë pa shkollë të lartë dikë që e meriton. Ashtu sikundër pasuria nuk e garanton me shkollën e lartë për atë qe nuk e meriton. Kjo është  rruga e Rilindjes së Arsimit të Lartë, gjithçka tjetër është  zvarritje në llumin e sistemit që sapo përmbysëm.”

Nga komentet fakt është se shqetësimi i të rinjve dhe qytetarëve është i madh, çka tregon se arsimi në Shqipëri ndodhet vërtet në situate kaotike, ku shumë nga studentët nuk e dinë as se ku janë dhe as se ku po shkojnë. Në këto kushte kërkohej ndërhyrja e qeverisë që mori dy vjet më parë besimin e elektoratit për të ndryshuar sistemin arsimor.      

Por, po ashtu fakt është se reforma po kundërshtohet më tepër nga ata që gatuan këtë “çorbë” dhe që diplomonin e pajisnin me grada shkencore injorancën me qëllim që t’i punësonin në administratë, duke shmangur dhe mos u kujdesur aspak për dijen e konkurrencën. Deri tani të privilegjuar për t’u arsimuar dhe diplomuar në kohë rekord në Shqipëri si askund tjetër në botë ishin ata që kishin para, si në shkollat publike ashtu edhe në ato private, ku nuk bënte përjashtim as kontingjenti që vinte nga bota e krimit, apo fëmijët e të afërmit e  zyrtarëve të lartë që e ngritën dhe e kthyen korrupsionin pa limit  në administratën publike, duke u kthyer tashmë në një neveri për qytetarët e shumtë. Në këto kushte edhe universiteti publik u kthye në shërbim të një administrate të kalbur, duke ngritur një sistem që kërkonte studentë “të përgatitur që në bankat shkollës,” vetëm e vetëm për të rrjepur qytetarët.

Reforma si për ata që e kanë lexuar apo ata që nuk ia kanë idenë fare , mund të mos ketë efekte pozitive. Le të jetë një eksperiment në fund të fundit, sepse eksperimentin më të keq të mundshëm me arsimin shqiptarët e përjetuan në tërë këto vite.  Nëse pas dy vjetësh apo më shumë nuk do ta ketë asnjë përmirësim arsimi i lartë në Shqipëri, e sigurtë është se më keq se ç’ishte katandisur deri tani nuk do të shkojë më. Pra, koha le ta vërtetojë. Ata që e kundërshtojnë sot dhe për çudi nuk kundërshtonin gjendjen katastrofale ku ishte katandisur arsimi deri dje, do të kenë ndonjë mundësi ta përmirësojnë atë me siguri nesër, gjithnjë nëse do të kenë të drejtë.         

A.      Muraçi                 

SHKARKO APP