Kryeministrin e përshëndetin nga ballkoni me “Rama ik”: Ku të shkoj mo? S’më mundin dot
Refrenit opozitar të kësaj fushate “Rama ik” shefi i socialistëve nuk i shpëtoi as në Peshkopi.
Ndërsa mbante fjalimin në stadiumin e qytetit, dikush nga ballkoni i pallateve përballë e përshëndetin me këtë thirrje.
Rama i justifikoi, pasi sipas tij opozitarët kanë rënë në hall me të se nuk e mundin dot.
Rama: Ja doli një atje, Rama, ik thotë. Ja, ku të iki mo ku të iki. Rama ik thotë, doli një atje në ballkon. I erdhi mesazhi nga pllaka e gramafonit. Rama ik, po. Ku të shkoj mo. O Zot! Thonë të vërtetën të shkretët, ik se na plase se nuk të mundim dot. Nuk kanë faj. Po nuk ka rëndësi. Takova mu në tunel, tuneli numër tre, më doli një demokrat atje me atë, maskë e di unë por ka edhe një shprehje tjetër, se këta edhe kafshojnë ndonjëherë.
Më tha a të bëjmë një selfie? Dakord, ta bëjmë i thashë. Kush fiton tha, populli shqiptar fiton i thashë por edhe atë PD do ta nxjerrim nga tuneli mos keni merak. Rastësi po ishte tuneli numër tre, mandati numër tre. Me mandatin numër tre këto që po flasim janë edhe për ata që thotë Rama i dhe për ata që thonë Rama ik. Se edhe ai që thotë Rama ik për të ikë në Tiranë do ti bjerë nga Rruga e Arbrit jo nga Rruga e Lulit.