Kryen vjedhje me dhunë, arrestohet organizatori dhe bashkëpunëtorja 21 vjeçe. Shpallen në kërkim 4 të tjerë
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit sepse dyshohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh me dhunë.
Operacioni policor i koduar “Shëtitësit” ka goditur grupin që ushtronte aktivitet kriminal në qytetin e Durrësit dhe qytete të tjera të vendit.
Janë ekzekutuar 2 urdhra ndalimi në ngarkim të shtetasve G. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë (organizatori i grupit) dhe A. K., 21 vjeçe, banuese në Durrës. Ndërkohë janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve S. H. (alias E. L.), 31 vjeç; A. T., 33 vjeç; A. Rr., 27 vjeç dhe A. S., 35 vjeç.
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi E. H.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale sende të grabitura nga vendngjarjet.
Procedimi penal ndaj tyre ka nisur pasi, më datë 07.02.2021, në orët e para të mëngjesit dyshohet se të maskuar kanë vjedhur me dhunë një biznes në zonën industriale të qytetit të Durrësit.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar se në bashkëpunim me njëri -tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes edhe të disa magazinave dhe bizneseve në qytetin e Durrësit dhe qytete të tjera.